Lidhje

Merkel: Gjermania, ndihmë rindërtimi për Ukrainën


Vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se autokolona ruse me ndihma që hyri të premten në Ukrainë,u kthye në Rusi, duke qetësuar tensionet ndërkombëtare, ndërsa Kancelarja gjermane Angela Merkel u takua në Kiev me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko për të diskutuar mbi tensionet me Rusinë.

Zonja Merkel tha se vizita e saj vjen në "një kohë të vështirë, por vendimtare" për integritetin territorial të Ukrainës. Ajo tha se duhet gjetur patjetër një rrugë drejt paqes dhe paralajmëroi se Rusia mund të përballet me sanksione të reja ekonomike nëse dhuna vazhdon. Zoti Poroshenko shprehu mirënjohje për vizitën e Kancelares dhe për mbështetjen e Gjermanisë.

Kancelarja Merkel premtoi një ndihmë prej $660 millionë dollarësh nga Gjermania, për të ndihmuar në rindërtimin e qyteteve në lindje të Ukrainës, të shkatërruara gjatë disa muaj luftimesh.

Rebelët pro-rusë në rajonin rusishtfolës të Ukrainës e filluan kryengritjen e tyre në muajin prill. Që nga ajo kohë, rreth 2 mijë njerëz janë vrarë, ndërsa forcat qeveritare përpoqen të rimarrin kontrollin e rajonit.

XS
SM
MD
LG