Lidhje

Rusia shpall "të padëshirueshme" një OJQ amerikane


Duma e Rusisë
Duma e Rusisë

Prokurorët rusë e shpallën "të padëshirueshëm" Fondacionin Kombëtar për Demokracinë, një organizatë jo-fitimprurëse me qendër në Uashington që financohet nga Kongresi amerikan.

Ky fondacion bëhet OJQ-ja e parë e huaj që ndalohet në Rusi, në bazë të një ligji të ri të debatueshëm.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm thotë se Fondacioni në fjalë, duke përdorur bizneset ruse dhe organizatat jo-komerciale nën kontrollin e tij, ka marrë pjesë në veprimtari që synojnë të deligjitimizojnë rezultatin e zgjedhjeve, të ndikojnë në vendimet e qeverisë dhe të diskreditojnë shërbimin në forcat e armatosura të Rusisë.

"Duke marrë parasysh qëllimin e përgjithshëm të punës së Fondacionit, prokurorët arritën në përfundimin se ai paraqet kërcënim për rendin kushtetues të Rusisë, aftësitë e saj mbrojtëse dhe sigurinë shtetërore,” thuhet në deklaratë.

I themeluar në vitin 1983, Fondacioni Kombëtar për Demokracinë jep më shumë se 1000 grante në vit për të mbështetur projektet e OJQ-ve që punojnë për qëllime demokratike në më shumë se 90 vende. Ai ka financuar një numër grupesh ruse të të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile, duke përfshirë Grupin e Helsinkit në Moskë, organizata më e vjetër e të drejtave të njeriut që është ende aktive në Rusi.

Duke iu përgjigjur cilësimit si organizatë "e padëshirueshme" nga qeveria ruse, Fondacioni tha të martën se ligji për organizatat e padëshirueshme është "i fundit në një seri ligjesh tepër kufizuese që frenojnë lirinë e qytetarëve rusë."

"Ky ligj, si dhe paraardhësit e tij, shkelin Kushtetutën e Rusisë, si dhe ligjet dhe traktatet e shumta ndërkombëtare," tha Fondacioni në një deklaratë. "Qëllimi i vërtetë i këtyre ligjeve është të frikësojnë dhe të izolojnë qytetarët rusë."

Fondacioni Kombëtar për Demokracinë tha se "mbetet i angazhuar për të mbështetur të drejtat e njeriut dhe liritë themelore në të gjithë botën."

Në muajin maj, Presidenti Vladimir Putin nënshkroi një ligj që u jepte prokurorëve të drejtën të shpallnin si "të padëshirueshme" organizatat e huaja dhe ndërkombëtare joqeveritare, veprimtaritë e të cilave shihen si kërcënim për sistemin kushtetues të Rusisë, "aftësitë e saj mbrojtëse ose sigurinë shtetërore."

Këtë muaj, Këshilli i Federatës, dhoma e lartë e parlamentit të Rusisë, i kërkoi zyrtarisht ministrive të Jashtme e të Drejtësisë si dhe Prokurorisë së Përgjithshme të Rusisë të hetonin veprimtaritë e 12 OJQ-ve, duke përfshirë edhe të Fondacionit Kombëtar për Demokracinë. Pas kësaj, një tjetër organizatë amerikane në listë, Fondacioni MacArthur, njoftoi se po e mbyllte zyrën në Moskë.

XS
SM
MD
LG