Lidhje

Rusi, Partia e Presidentit Putin siguron fitoren


Rezultatet e zgjedhjeve ruse tregojnë e partia në pushtet ka siguruar një fitore të dukshme në zgjedhjet e së djelës, ndërkohë që ka njoftime të shumta për shkelje dhe pjesëmarrje të ulët të zgjedhësve në dy qytetet kryesore.

Pas numërimit të thuajse të gjitha votave, Partia Rusia e Bashkuar e Presidentit Vladimir Putin rezulton se ka marrë mbi 54% të votave, ndërsa Partia Liberal Demokrate dhe Partia Komuniste kanë nga 13% secila, pasuar nga Partia Rusia e Drejtë me 6%.

Shefja e Komisionit Rus të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova tha se nuk sheh arsye për anulimin e rezultatit në ndonjë zonë zgjedhore të vendit, megjithë njoftimet për manipulime votash.

Zonja Pamfilova pohoi se zgjedhjet “nuk ishin sterile” duke shtuar se në tre qendra votimi ishte konfirmuar se kishte pasur mbushje të kutive.

Ashtu siç pritej, Partia Rusia e Bashkuar do të kontrollojë shumicën absolute në Duma, dhoma e ulët e parlamentit rus.

Rusia e Bashkuar, e udhëhequr nga kryeministri Dmitri Medvedev, besnik i Presidentit Putin, ka aktualisht 238 nga 450 vende në Duma dhe dominon në mbi 80 parlamente rajonale. Pritet që kjo parti të marrë edhe 100 vende të tjera në Duma.

Zgjedhjet për parlament zhvillohen afro 18 muaj para zgjedhjeve presidenciale.

Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, OSBE dërgoi mbi 400 vëzhgues për zgjedhjet në Rusi, duke e rritur thuajse dyfish numrin e vëzhguesve krahasuar me 2011, kur kishte dërguar 215 vëzhgues.

Analistët i konsideronin këto zgjedhje si një referendum për Presidentin Putin para zgjedhjeve presidenciale të 2018.

Zoti Putin dhe Partia Rusia e Bashkuar përfituan nga një valë mbështetjeje nacionaliste lidhur me Krimenë si dhe operacionet ushtarake, në një kohë që media shtetërore nuk pasqyronte opinionet kritike, ose i cilësonte si tradhëtarë kundërshtarët.

Përkrahësit e Kremlinit deri tani e kanë vlerësuar figurën e Putinit që e konsiderojnë si një udhëheqje e fortë dhe nuk shqetësohen aq shumë për drejtimin që ka marrë Rusia nën këtë udhëheqje.

Perceptimi i elektoratit për zhvillimin e zgjedhjeve mund të bëhet shkak për protesta kundër rezultatit. Demonstrata masive u zhvilluan në Moskë pas zgjedhjeve të 2011. Raportimet për shkelje gjatë zgjedhjeve u shtuan të dielën, ndërkohë që vazhdonin votimet në një territor me 11 zona kohore dhe me 110 milionë votues të regjistruar.

Mikhail Kasianov, udhëheqësi i Partisë Liria e Popullit, një forcë e opozitës ruse, tha kur po hidhte votën se parashikon që do të regjistrohen një numër ankesash për manipulime me votat. “Nuk është për t’u çuditur, megjithëse autoritetet premtuan se këto do të ishin zgjedhjet më të mira e më të drejta. Por nuk dolën të tilla, dolën ashtu siç i parashikonim, Të shohim çfarë përmasash kishte manipulimi, parashikoj që të ketë qenë i madh,” tha zoti Kasianov.

Agjencia e lajmeve Interfax citoi Ilia Shablinskin, koordinator i vëzhguesve për Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Presidentit Putin se kishte pasur ankesa për shkelje nga rajone të ndryshme.

Grupi vëzhgues Golos tha se edhe ai kishte marrë ankesa për shkelje. Një video e publikuar në YouTube tregon një punonjës në një qendër votimi në rajonin jugor Rostov duke futur disa fletë votimi në kuti.

XS
SM
MD
LG