Lidhje

Flota ruse shqetëson vendet anëtare të NATO-s në Detin e Zi


Sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton, tha se marrëveshja e djeshme mes Moskës dhe Kievit për zgjatjen e kontratës që lejon vazhdimin e qëndrimit të Flotës Ruse të Detit të Zi, në portin e qyetit Sevastopol, nuk do të thotë se Ukraina po pozicionohet afër Rusisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Pitër Fedinski njofton nga takimi i NATO-s i organizuar në Talin të Estonisë.

E pyetur lidhur me marrëveshjen Rusi-Ukrainë mbi flotën e Detit të Zi, Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton tha se vendimi i presidentit të Ukrainës Viktor Janukoviç, duhet të shihet si një përpjekje për të balancuar politikën e jashtme të vendit, dhe jo si një hap më larg Perëndimit e më afër Rusisë.

"Unë mendoj se duke patur parasysh historinë dhe pozitën gjeografike të Ukrainës, ky akt balancimi është i vështirë, por nga pikpamja jonë I logjikshëm.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Rasmusen, tha se marrëveshja Rusi- Ukrainë për flotën e Detit të Zi është një marrëveshje bilaterale.

"Ne kemi vendosur se Ukraina dhe Gjeorgjia do të bëhen anëtare të NATO-s, sigurisht nëse ato dëshirojnë dhe nëse i përmbushin kriteret e duhura.”

Presidenti i Ukrainës Viktor Janukoviç, i cili kishte bashkëpunuar me NATO-n gjatë kohës kur ai ishte kryeministër, tani thotë se vendi nuk është akoma gati për t’u anëtarësuar në aleancën perëndimore. Rusia është kundër zgjerimit të NATO-s drejt Europës Lindore, dhe mbetet e mendimit se anëtarësimi i Ukrainës dhe Gjeorgjisë do të kërcënonte sigurinë e rajonit.

Zoti Janukoviç dhe Presidenti rus Dmitri Medvedev deklaruan se marrëveshja e re do të zgjasë kontratën e qëndrimit të flotës ruse në Detin e Zi, në Portin Sevastopol të Ukrainës, deri në vitin 2042.

Presidenti Medvedev tha se vendi i tij kishte nevojë të parashikonte se çdo të ndodhte me Flotën e Detit të Zi, pasi sipas kontratës ekzistuese ajo duhej të largohej në vitin 2017.

Ai dhe zoti Janukoviç janë dakort se marrëveshja krijon sigurinë e duhur, dhe në të njëjtën kohë krijon garanci më të mëdha edhe për sigurinë e Europës në gjirin e Detit të Zi.

Por kjo siguri nuk ka mbështetje universale. Marina Luzhikova, redaktorja e Moskës për Revistën e Kërkimeve Strategjike Rajonale, tha për Zërin e Amerikës se kjo marrëveshje ishte e nxituar dhe nuk ka marrë parasysh pasojat në botë.

Zonja Luzhikova tha se diplomatët bullgarë dhe rumunë, që ndodhen në koferencën e NATO-s kanë shprehur rezervat e tyre në mënyrë private mbi këtë marrëveshje. Një diplomat bullgar i tha Zërit të Amerikës se vendet rreth Detit të Zi janë të shqetësuara rreth ndikimit që do të ketë prania e flotës ruse në rajon gjatë çerek shekullit të ardhshëm.

Anëtarë të opozitës në Ukrainë vënë në dukje paligjshmërinë e marrëveshjes. Zonja Maria Luzhikova përmend disa nga kundërshtimet e tyre.

Zonja Luzhikova thotë se marrëveshja shkel kushtetutën e Ukrainës, ligjin për sigurinë kombëtare të vendit, si dhe doktrinën e mbrojtjes kombëtare dhe atë të sigurisë kombëtare.

Kapitulli 1, Neni 17, i kushtetutës së Ukrainës ndalon praninë e bazave të huaja ushtarake në Ukrainë. Opozita pretendon se kjo marrëveshje e bën të pamundur që Ukraina të ruajë një status të pavarur nga Moska apo nga NATO-ja.

XS
SM
MD
LG