Lidhje

Rusia vazhdon sulmet ajrore në Siri


Presidenti rus Vladimir Putin u takua sot në Paris me presidentin francez François Hollande për të diskutuar mbi konfliktin në Siri në një klimë tensionesh në rritje. Shtetet e Bashkuara thonë se Rusia po ndërmerr në Siri sulme ajrore kundër objektivave të ndryshme, "pa dallim". Ndërkaq, Rusia tha se edhe sot, në ditën e tretë të fushatës, ka kryer sulme ajrore ndaj militantëve të Shtetit Islamik, por Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Rusinë se po e përdor fushatën për të mbështetur qeverinë e Bashar al-Asadit.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur gatishmërinë për të punuar me Rusinë për eliminimin e Shtetit Islamik në Siri, por veprimet e Rusisë kanë ngritur shqetësime në Shtetet e Bashkuara.

"Në qoftë se dikush duket, vepron, lëviz dhe lufton si terrorist atëherë ai është terrorist. Ne gjithmonë kemi thënë se do të luftojmë Shtetin Islamik dhe grupet e tjera terroriste. Amerikanët kanë të njëjtin qëndrim. Përfaqësuesit e komandës së koalicionit gjithmonë kanë thënë se objektivat e tyre janë Shteti Islamik, Al-Nusra dhe grupe të tjera terroriste. Ky në thelb është edhe qëndrimi ynë. Ne kemi të njejtën qasje me koalicionin në këtë çështje," u shpreh Sergei Lavrov, Ministër i Jashtëm i Rusisë.

Por Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë të njëjtin mendim për këtë çështje. Pentagoni thotë se Shtetet e Bashkuara dhe ushtarakët rusë po diskutojnë se si të shmangin goditjet ndaj njëri-tjetrin, ndërkohë që dy vendet vazhdojnë fushatat e tyre ajrore në Siri.

Dje në ditën e dytë të sulmeve ajrore, Rusia tha se kishte goditur objektivat e militiantëve të Shtetit Islamik por, vëzhguesit thonë se janë goditur edhe pozicionet e luftëtarëve sirianë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

"Nëse ne mund të ndërmarrim hapa për të shmangur gabimet dhe aksidentet që mund të ndodhin në qiell, të paktën ne do të ishim të angazhuar me rusët në këto biseda, dhe pastaj do të shohim se ku do të na çojnë ato. Kjo nuk do të thotë se ne po mbështesim veprimet e Rusisë. Ne kemi ngritur shqetësimet tona rreth veprimeve të tyre," tha Peter Cook, zëdhënës i Pentagonit​.

Ministri rus i Mbrojtjes tha se avionët e ushtrisë ruse kanë goditur dhjetëra pozicione të Shtetit Islamik, duke përfshirë një qendër komande dhe dy depo municionesh.

Por grupi i opozitës, Këshilli Kombëtar Sirian tha në Kombet e Bashkuara se nga sulmet ajrore të Rusisë janë vrarë të paktën 36 civilë duke përfshirë edhe fëmijë.

Presidenti rus Vladimir Putin mohoi njoftimet se sulmet ajrore ruse kanë rezultuar në vdekjen e civilëve. Deri tani, asnjëri nga këto dy pohime nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

XS
SM
MD
LG