Lidhje

Rusi-SHBA, mospajtime mbi politikat në Siri dhe Afganistan

  • Daniel Schearf

Rusia zhvilloi dje një takim trepalësh mes ministrave të punëve të jashtme të Iranit, Sirisë dhe Rusisë, si dhe një konferencë ndërkombëtare mbi Afganistanin, vetëm pak ditë pas një pritjeje të ftohtë në Moskë për Sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson. Politika ruse ndaj zhvillimeve në Siri dhe Afganistan ka krijuar fërkime të reja mes Moskës dhe Uashingtonit, por analistët thonë se gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme kërkon angazhimin e të dyja vendeve.

Në Moskë, ministrat e punëve të jashtme të Iranit, Rusisë dhe Sirisë mbajtën takime për të theksuar frymën e unitetit mes tre vendeve dhe folën kundër sulmeve raketore të Shteteve të Bashkuara mbi një bazë ushtarake siriane.

Ata bënë thirrje për një hetim të akuzave të Amerikës, se Siria ka përdorur armë kimike, armë të cilat Rusia thotë se zotërohen nga rebelët.

“Ne këmbëngulim në kryerjen e një hetimi të plotë, objektiv, dhe të paanshëm të rrethanave të përdorimit të substancave kimike në Khan Sheikhoun më 4 prill” tha ministri rus i punëve të jashtme, Sergei Lavrov.

Rusia dhe Irani, së bashku me forcat e qeverisë siriane, janë duke luftuar militantët e Shtetit Islamik dhe xhihadistë të tjerë, por edhe kryengritësit sirianë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Këto komente të forta bëhen vetëm disa ditë pas një pritjeje të ftohtë të Sekretarit amerikan të Shtetit Rex Tillerson nga rusët, të cilët nuk pranuan të ndalin mbështetjen për presidentin sirian Bashar al-Asad.

“Unë mendoj se është e qartë edhe për administratën Trump, se pa bashkëpunimin e Rusisë është e pamundur për të ecur përpara, ose për të arritur ndonjë rezultat kuptimplotë – qoftë në Siri apo në Afganistan” thotë hulumtuesi Victor Mizin.

Forcat e koalicionit amerikan kanë luftuar kundër Shtetit Islamik në Siri dhe Afganistan, ku grupi terrorist është gjithnjë e më aktiv.

Rusia është e shqetësuar pasi mijëra shtetas rusë luftojnë me grupet ekstremiste si dhe nga trafiku i drogës dhe kufijtë porozë.

“Sigurisht se ka gjithmonë vend për bashkëpunim si në Siri dhe Afganistan. Por, mendoj se faktor kyç i këtij bashkëpunimi është që të dyja palët, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, të njohin reciprokisht të drejtën për një pozicionim të pavarur dhe një politikë të pavarur” thotë hulumtuesi Dmitry Verkhoturov.

Të enjten Shtetet e Bashkuara përdorën bombën më të madhe jo-bërthamore për të goditur tunele që besohet se përdoreshin nga ISIS-i në Afganistan.

Ndërkohë Moska mbajti një raund të tretë bisedimesh mbi stabilizimin e Afganistanit me delegatë të ftuar nga Kina, India, Irani, Pakistani, dhe Azia Qendrore.

“Nisma ruse, për të luajtur një rol më aktiv, shihet me shumë dyshim nga Shtetet e Bashkuara. Dhe gjithë këto spekulime rreth furnizimeve ushtarake, fondeve për talebanët, kontakteve me talebanët dhe kështu me radhë, dhe afrimin e rusëve me Pakistanin kohët e fundit, të gjithë këto shihen me shumë dyshim nga Shtetet e Bashkuara” thotë Petr Topichkanov i organizatës “Carnegie Moscow Center”.

Të shqetësuar se angazhimi i Rusisë po legjitimon luftëtarët talebanë, Shtetet e Bashkuara deri tani kanë refuzuar të marrin pjesë në takimin me dyer të mbyllura.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG