Lidhje

Rusia në vitin e ri


Megjithë parashikimet e zymta rreth ekonomisë së Rusisë për vitin 2015, shumë rusë e pritën Vitin e Ri me brohoritje dhe me shpresën për një të ardhme më të mirë. Me rënien drastike të rublës, disa njerëz thonë se e duan qëndrueshmërinë më tepër se sa begatinë.

Por problemet e Rusisë, duke përfshirë tensionet politike me Perëndimin, duket se kanë nxitur një rritje të krenarisë kombëtare, që Presidenti Vladimir Putin u përpoq t'i bënte jehonë me mesazhin e tij të Vitit të Ri. Shpresat për një të ardhme më të mirë duket se janë po aq të mëdha edhe mes rusishtfolësve në Ukrainën lindore.

Fishekzjarret e Vitit të Ri në Sheshin e Kuq të Moskës u pritën me entuziazëm, si kujtesë e kohëve më të mira në Rusi.

"Ne dëshirojmë më të mirën për Rusinë. Ajo do të fitojë, është më e mira," thotë Alexei, banor i Moskës.

Por rënia e çmimeve të naftës, plus sanksionet perëndimore kundër Rusisë, mund ta çojnë vendin në recesion ekonomik këtë vit.Vlera e rublës ka rënë afro 50 përqind kundrejt monedhave perëndimore, dhe kjo i ka lënë të tronditur rusët e zakonshëm.

"E kam ndjekur çdo ditë kursin e këmbimit, që shkonte herë sipër e herë poshtë. Por kjo nuk pati ndonjë efekt mbi mua. Kur nuk ke asgjë, nuk ke çfarë të humbësh," thotë Elena.

Edhe Presidenti Putin i paralajmëroi rusët për vështirësitë me të cilat mund të përballen këtë vit.

"Në vitin e ri, ne së bashku do të duhet të zgjidhim shumë probleme. Dhe ky vit do të marrë atë drejtim që do t'i japim ne vetë. Rezultatet do të jenë aq të efektshme dhe krijuese sa ne vetë do të përpiqemi t'i bëjmë ato. Receta të tjera nuk ka," tha Presidenti Putin.

Por ndërsa ai u zotua se Rusia së shpejti do t'i kapërcejë problemet, kundërshtarët e zotit Putin parashikojnë një të ardhme të zymtë.

"Fundi është afër, vendi është në prag të rënies, mendoj. Prandaj them se njerëzit do të dalin në rrugë për të kërkuar një ndryshim të gjendjes dhe ne do të kontribuojmë për këtë. Prandaj mendoj se 2015a është një vit shumë i rëndësishëm, madje historik," thotë Mikhail Kasjanov, ish kryeministër dhe udhëheqës i opozitës.

Zyrtarët rusë thonë se me disa përpjekje, katastrofa ekonomike mund të shmanget.

Sipas Sergei Romanchuk, i Metalinvestbank, "Çdo përmirësim, qoftë edhe shumë i vogël në politikën e përgjithshme, mund t'i forcojë tregjet. Për shembull, sanksionet evropiane. Në qoftë se Rusia nuk jep shkak për forcimin e tyre, ne mund të kemi rezultate pozitive."

Anketimet e fundit tregojnë se Presidenti Putin ende gëzon mbështetje të fuqishme popullore, mes 70 dhe 80 për qind. Kjo mbështetje është veçanërisht e lartë mes rusishtfolësve në Krime, territori i Ukrainës i aneksuar nga Rusia në muajin mars, megjithë mungesat e ujit dhe të energjisë, më të rëndat ndonjëherë.

"Kemi ardhur sot në shesh për të festuar Vitin e Ri së bashku me qytetin, me njerëzit dhe për të parë presidentin Putin. Pra, kemi ardhur për të ndierë unitetin dhe atmosferën e qytetit dhe për të festuar Vitin e Ri," thotë Natalya Abramenko, banore e Sevastopolit.

Aneksimi i Krimesë dhe mbështetja e Moskës për separatistët rusë në Ukrainën lindore janë dënuar nga perëndimi dhe kanë kontribuar në problemet ekonomike të Rusisë. Disa rusë e shohin problemin me një qasje folozofike:

"Ne kemi mësuar të jemi më optimistë, pavarësisht nga çdo gjë. Sepse në qoftë se nuk qeshim, atëherë çmendemi," thotë një studente.

Disa bëjnë edhe humor, si një këngëtar, i cili i kërkon Santës t'u dërgojë rusëve si dhuratë një president të ri e të papërdorur të paketuar në kuti, të cilën të mund ta kthejnë nëse nuk janë të kënaqur.

XS
SM
MD
LG