Lidhje

Rusia në zi kombëtare


Rusia po mban sot zi kombëtare, pas rrëzimit dje të avionit me 217 udhëtarë dhe shtatë anëtarë ekuipazhi në Gadishullin Sinai të Egjiptit. Të gjithë personat në bord humbën jetën.

Një zyrtar i aviacionit tha se avioni u shpërbë në ajër, por hetimi i shkaqeve vazhdon.

Pothuajse të gjithë udhëtarët ishin turistë rusë që po ktheheshin në Shën Pjetërburg nga zona turistike Sharm el-Sheikh e Egjiptit. Ndër të vdekurit janë edhe tre ukrainas.

“Ngushëllimet e mia të gjithë miqve të mi që papritur humbën fëmijët, nënat dhe bashkëshortet. Është e tmerrshme”, thotë kjo banore e Shën Pjetërburgut.

Deri tani, të paktën 129 trupa janë gjetur dhe transportuar drejt Kairos.

“Po presim ekspertët mjeko-ligjorë që do të na marrin ADN-në. Nuk na kanë thënë gjë tjetër deri tani, " thotë një i afërm i një prej viktimave.

Autoritetet shpresojnë që kutia e zezë e avionit, e cila regjistron të gjitha komunikimet, do të ndihmojë për të zbardhur arsyen e rrëzimit.

Avioni Airbus A-321 i përkiste një firme të vogël të quajtur Metrojet. Ai u zhduk nga radarët 23 minuta pasi ishte nisur nga Sharm el-Sheikh.

“Hetimi po vazhdon edhe me firmën operatore. Janë marrë në pyetje dhe janë konfiskuar mjete," thotë Viktor Belotsky, i grupit të hetimit.

Shefi i Aviacionit Civil egjiptian, Hossam Kamal, tha se kontrollet e sigurisë përpara fluturimit nuk treguan ndonjë problem dhe se gjithashtu pilotët nuk kërkuan ndihmë përpara se të zhdukej avioni nga radarët.

XS
SM
MD
LG