Lidhje

Rusia kishte përgjuar për pesë vjet Skripalin


Agjencitë ruse të zbulimit e kishin përgjuar ish-agjentin e dyfishtë Sergei Skripal-in dhe vajzën e tij Julia për të paktën pesë vjet, përpara se ata të sulmoheshin me një agjent nervor në mars të këtij viti, njoftoi këshilltari i sigurisë kombëtare i kryeministres britanike. Në një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Mark Sedwill shkruante se të dhënat e postës elektronike të Julias kishin qenë nën shënjestër prej vitit 2013 nga specialistë kibernetikë të shërbimit ushtarak rus të zbulimit. Në letrën e publikuar nga qeveria thuhet se ka shumë mundësi që shërbimet ruse të zbulimit po “i shihnin ata si objektiva për t’u vrarë".

Në një koment sot ambasadori i Rusisë në Britani tha se ai ishte i shqetësuar se qeveria britanike po përpiqej të shkatërronte provat lidhur me këtë çështje.

"Kemi përshtypjen se qeveria britanike po ndjek me qëllim një politikë të shkatërrimit të të gjitha provave, klasifikimin e të gjitha materialeve të mbetura dhe bërjen të pamundur të një hetimi të pavarur dhe transparent", u tha gazetarëve Alexander Jakovenko. Ai tha gjithashtu se Rusia nuk është e sigurt mbi vërtetësinë e një deklarate të lëshuar të mërkurën nga Yulia Skripal, sipas të cilës ajo refuzonte ofertën për ndihmë nga ambasada ruse.

XS
SM
MD
LG