Lidhje

Një atlet rus dyshohet për doping në Olimpiket Dimërore


Një atlet rus dyshohet për shkelje të rregullave të dopingut në Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen në Piong Çang.

Të dielën në mbrëmje një trajner i ekipit të Curling në akull tha se fituesi i medaljes së bronxtë Alexander Krushelnitsky ka rezultuar pozitiv për meldonium, një substancë e ndaluar në vitin 2016.

Sot Komiteti Ndërkombëtar i Lojrave Olimpike njoftoi se ndaj atletit do të zhvillohet një test i dytë, rezultatet e të cilit do të jenë në dispozicion për 24 orë.

Nëse edhe në testin e dytë ai do të rezultojë pozitiv, incidenti mund ta pengojë ekip rus të marshojë nën flamurin kombëtar në ceremoninë e mbylljes së lojrave.

Presidenti i federatës ruse të Curling-ut në akull Dmitri Svishçev, tha se ka të ngjarë që substanca të jenë hedhur me qëllim në ushqimet apo pijet e atletëve, duke aluduar se atletë rivalë apo armiq politikë të Rusisë mund të ishin përgjegjës për këtë.

Ylli rus i tenisit Maria Sharapova u pezullua për 15 muaj pasi rezultoi pozitive për meldonium në vitin 2016 gjatë turneut të tenisit në Australi. Ajo e kishte përdorur substancën, që trajton problemet e zemrës, për dhjetë vjet.

Megjithëse mund të duket e çuditshme ideja që një lojtar i Curling-ut në akull të përdorë droga që rrisin rendimentin e tij në garë, ky lloj sporti kërkon një nivel të lartë stërvitjeje fizike në nivel olimpik.

XS
SM
MD
LG