Lidhje

Rusia dhe BE-ja diskutojnë mbi Ukrainën


Bashkimi Evropian po përpiqet të sigurojë Rusinë se nënshkrimi i një marrëveshje tregtare mes BE-së dhe Ukrainës nuk do të dëmtojë Moskën. Ministrat e Jashtëm nga të dyja palët biseduan në Bruksel dje mes mosmarrëveshjeve brenda vendeve evropiane mbi mënyrën se si duhet vepruar me çështjen e Ukrainës.

Duke folur me gazetarët pas një takimi mes Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe Ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov në Bruksel, shefja e politikës së jashtme të BE-së Catherine Ashton tha se shqetësimet ruse në lidhje me një marrëveshje të tregtisë mes BE-së dhe Ukrainës janë të pabaza.

"I thamë homologut tonë nga Rusia se nuk është i nevojshëm operimi në një atmosferë të presionit. Ne duhet të sigurohemi që të dy vendet të kenë një zgjedhje të lirë në lidhje me marrëveshjet që arrijnë. Por, gjithashtu duhet pranuar se në një botë që respekton marrëveshjet e tregtisë së lirë, dhe në kuadër të OBT-së, është normale për vendet që të kenë marrëveshje tregtare me shumë vende të tjera."

Bisedimet mes dy palëve u zhvilluan gjatë një takimi të Ministrave të Jashtëm të BE-së. Bisedimet pasojnë disa javë të protestave masive në Ukrainë, pasi presidenti i vendit, Viktor Yanukovych, hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshje tregtare me BE-në për shkak të presionit nga Moska. Presidenti Yanukovych sot shkon në Moskë për të diskutuar një plan për forcimin e marrëdhënieve tregtare me Rusinë.

Duke folur me gazetarët pas takimit me homologët evropianë në Bruksel, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u përqëndrua në dallimet e vendit të tij me Evropën.

"Në bazë të marrëveshjes sonë të përbashkët të gjithë duhet të respektojnë sovranitetin e çdo vendi, përfshirë atë të Ukrainës, dhe të gjithë duhet të lejojnë njerëzit të bëjnë zgjedhjen e lirë mbi mënyrën se si ata duan ta zhvillojnë vendin e tyre."

Edhe brenda anëtarëve të BE-së ka mosmarrëveshje në lidhje me mënyrën se si duhet trajtuar Kievi. Shefi i BE-së për çështjen e zgjerimit, Stefan Fuele tha të dielën në tuiter se bisedimet tregtare me Kievin janë ndalur. Kjo shkaktoi kritika nga Holanda. Anëtarët e BE-së thonë se dera mbetet e hapur për Ukrainën.

Megjithatë, Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt shprehu pakënaqësinë e BE-së rreth politikës së paqartë të zotit Yanukovych në lidhje me marrëveshjen tregtare.

"Bisedimet duhet të mbështeten në një politikë. Kemi dëgjuar fjalë kundërthënëse nga Presidenti Yanukovych. Ai ka dërguar një nga Zëvendëskryeministrat e tij në Bruksel për të thënë asgjë, dhe pastaj ai ndryshon fjalët kur kthehet në Kiev."

Megjithatë, zoti Bildt thotë se, në qoftë se Kievi dërgon një mesazh të qartë në favor të marrëveshjes së tregtisë, BE-ja është e gatshme të nënshkruajë atë.
XS
SM
MD
LG