Lidhje

Uashington: Vazhdojnë debatet për hetimet mbi lidhjet me Rusinë


Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer tha sot se nuk sheh asgjë "problem" në faktin që hetimet mbi ndërhyrjet e Rusisë në zgjedhjet e nëntorit të drejtohen nga Kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve Devin Nunes.

"Nuk shoh asgjë problematike," tha ai për gazetarët të mërkurën në konferencën e përditshme për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Duke kundërshtuar thirrjet që ai vetë të mos jetë pjesë e hetimit, si dhe duke anuluar takimet e komisionit që drejton, për pjesën e mbetur të javës, zoti Nunes u akuzua nga demokratët se ka vënë në pikëpyetje besueshmërinë e procesit hetimor për këtë çështje.

Zoti Spicer tha se disa hapa në procesin e hetimit "marrin pak kohë" dhe se kjo për Shtëpinë e Bardhë nuk përbën problem.

Ligjvënësi Nunes anuloi një takim me dyer të mbyllura me drejtorin e FBI-së James Comey dhe drejtorin e NSA Mike Rogers, duke thelluar më tej zemërimin e anëtarëve demokratë që thanë se veprimet e zotit Nunes gjatë 10 ditëve të fundit vënë në pikëpyetje besueshmërinë e tij dhe minojnë aftësitë e tij për të drejtuar hetimin.

Sipas zëdhënësit të tij, zoti Nunes u takua në mjediset e Shtëpisë së Bardhë me një person, që dispononte materiale nga përgjimet e agjencive të zbulimit, në të cilat figuronin emra të këshilltarëve të presidentit Trump, të dalë rastësisht gjatë përgjimit të subjekteve të tjera. Zëdhënësi u tha gazetarëve se zoti Nunes shkoi në Shtëpinë e Bardhë pasi donte të ishte pranë një vendi të sigurtë, ku mund të shikonte provat e paraqitura nga personi që takoi.

Ky informacion bëri që anëtari demokrat i komisionit, ligjvënësi Adam Schiff të bënte thirrje që zoti Nunes të largohej nga hetimi për Rusinë.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë është gjithnjë e më e nervozuar që pyetjet lidhur me Rusinë nuk po largohen nga vëmendja.

“Në se presidenti vendos të hajë sallatë ruse sonte – dikush do ta shohë si lidhje me Rusinë", tha të martën në konferencën e përditshme për shtyp zëdhënësi Sean Spicer.

Duke iu përgjigjur një gazetari që sugjeroi se Shtëpia e Bardhë bllokoi ish Prokuroren e Përgjithshme në detyrë Sally Yates të dëshmonte atë që mund të ishte një deklaratë e dëmshme për administratën, zëdhënësi tha:

"Të sugjerosh se ne bllokuam këtë seancë në çdo lloj forme është 100 për qind e gabuar".

Zoti Nunes e shtyu seancën e komisionit të zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve , por thotë se nuk ishte për shkak të presionit nga Shtëpia e Bardhë. Demokratët nuk e pranojnë këtë argument.

"Ka shumë pikëpyejte nëse ai po përfaqëson Shtëpinë e Bardhë, apo po kryen një hetim të drejtë e të pavarur", tha nënkryetari demokrat i komisionit Adam Schiff.

Edhe republikanët thonë se është koha për zotin Nunes të thotë atë që di.

Por kreu i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan – personi që vendos për kreun e hetimit, po i qëndron në mbrojtje zotit Nunes. I pyetur në se zoti Nunes duhet të thotë emrin e burimit dhe të largohet nga hetimi për Rusinë, ai iu përgjigj me një "jo" të prerë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG