Lidhje

Akuzat ndaj 12 ushtarakëve rusë nxisin reagime mes demokratëve


Hetimi për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 pati një tjetër zhvillim të rëndësishëm të premten, kur Departamentit i Drejtësisë njoftoi ngritjen e akuzave për 12 zyrtarë rusë të shërbimit ushtarak të zbulimit, të cilët organizuan ndërhyrjen në zgjedhje. Këto akuza u bënë të ditura vetëm pak ditë përpara takimit të Presidentit Donald Trump me Presidentin Vladimir Putin, dhe madje në të njëjtën ditë kur Presidenti Trump sapo e kishte përshkruar sërish hetimin ndaj Rusisë si një “gjueti shtrigash”.

Zëvendës prokurori i përgjithshëm Rod Rosenstein njoftoi ngritjen e akuzave të pranuara nga një juri e madhe, e cila shqyrtoi fillimisht faktet e paraqitura nga prokurori i posaçëm Robert Mueller.

“Në aktpadi radhiten emrat e 12 ushtarakëve rusë të akuzuar për organizimin e ndërhyrjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. 11 prej tyre akuzohen se ndërhynë në kompjutera, duke vjedhur dokumenta dhe duke i botuar ato, me synim ndërhyrjen në zgjedhje”, njoftoi Rod Rosenstein, Zëvendës Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara.

Akuza detajon përpjekjet masive të shërbimeve ruse të zbulimit për të hyrë në llogaritë e email-it dhe në kompjuterat e Partisë Demokratike, si dhe të fushatës elektorale të kandidates Hillary Clinton.

Zoti Rosenstein saktësoi se asnjë shtetas amerikan nuk ishte përfshirë në këtë operacion.

Njoftimi u bë ndërsa Presidenti Trump po takohej për të pirë çaj me Mbretëreshën Elizabeth në kështjellën Windsor, si pjesë e vizitës së tij në Britani.

Më herët, gjatë një konference për shtyp me Kryeministren Theresa May, Presidenti Trump u pyet nëse do ta ngrinte çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje gjatë takimit të tij të hënën me Presidentin rus Vladimir Putin.

“Do ta bëj sigurisht pyetjen dhe të shpresojmë që do të kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Rusinë”, u përgjigj Presidenti Trump.

Presidenti Trump vazhdoi, megjithatë, ta sulmojë hetimin ndaj Rusisë, duke e konsideruar një pengesë për përmirësimin e marrëdhënies.

“Unë e quaj “hetim shtrigash të manipuluar’. Mendoj se vërtet dëmton vendin tonë dhe marrëdhënien me Rusinë. Mendoj se do të kishim patur një shans për një marrëdhënie shumë të mirë me Rusinë dhe me Presidentin Vladimir Putin”, u tha gazetarëve Presidenti Trump.

Pas akuzave ndaj zyrtarëve rusë, disa demokratë i bënë thirrje Presidentit Trump ta anulojë takimin me Vladimir Putinin.

“Prej kohësh kam patur shqetësim lidhur me stilin e tij, sipas rastit, kur zhvillon takime të improvizuara. Nuk është e përshtatshme, sidomos kur kur ke përballë një person si Vladimir Putini, i cili është në skenën botërore që prej 20 vjetësh”, tha Senatori demokrat i shtetit Virxhinia, Mark Warner.

Hetimi ndaj Rusisë është shndërruar në një pikë të nxehtë në Kongres gjatë ditëve të fundit, duke nxitur edhe një paralajmërim nga Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rosenstein.

“Ndërsa përballemi me ndërhyrjen e të huajve në zgjedhjet amerikane, është e rëndësishme për të gjithë ne, që të shmangim të menduarit politikisht, si republikanë apo demokratë, dhe të mendojmë si patriotë amerikanë”, - tha zoti Rosenstein.

Kjo nuk ka për të qenë e lehtë gjatë një viti të nxehtë elektoral në Shtetet e Bashkuara.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG