Lidhje

Rrëzohet avioni ushtarak rus në Detin e Zi


Operacioni i kërkim shpëtimit në Detin e Zi, pas rrëzimit të avinonit rus

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se një avion ushtarak me 92 udhëtarë është rrëzuar në Detin e Zi, pak pasi u ngrit nga qendra turistike në Sochi.

Zyrtarët thanë se mbetjet e avionit dhe disa trupa u gjetën afër bregdetit rus. Pjesa më e madhe e avionit është gjetur rreth 1.5 kilometra larg bregut në një thellësi prej 70 metrash.

Avioni Tu-154 u zhduk nga radarët pak minuta pasi u ngrit nga Soçi rreth orës 5 e 40 sipas kohës lokale. Avioni po fluturonte drejt një baze ajrore në Siri.

Nuk ka asnjë të dhënë se çfarë mund ta ketë shkaktuar rrëzimin. Zyrtarët thanë se nuk ka pasur asnjë alarm nga kabina e avionit.

Operacioni i kërkim shpëtimit është duke vazhduar, ndërsa autoritetet thanë se nuk presin të gjejnë të mbijetuar.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes, avioni me tre motorë ishte në fluturim të zakonshëm drejt bazës ajrore ruse Hmeimim afër qytetit bregdetar sirian Latakia.

Në avion kishte ushtarakë dhe më shumë se 60 anëtarë të Ansamblit Alexandrov, grupi muzikor zyrtar i ushtrisë që po fluturonte për në Siri për të marrë pjesë në kremtimet me rastin e vitit të ri në bazën ushtarake.

Në avion ishte edhe Yelizaveta Glinka, një doktoreshë e njohur ruse për punën e saj mirëbërëse. Ajo po udhëtonte për të ofruar ndihmë mjekësore në Siri.

Nëntë punonjës të medies ndodheshin në mesin e 84 udhëtarëve dhe tetë anëtarëve të ekuipazhit.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha agjencive ruse të lajmeve se presidenti Vladimir Putin, është informuar për situatën dhe operacionet ë kërkimit.

XS
SM
MD
LG