Lidhje

Serbi: Putini është pajtuar të dërgojë sasi të madhe armësh në Ballkan


Presidenti rus, Vladimir Putin, është zotuar të nënshkruajë dërgimin e avionëve ushtarakë, tankeve dhe automjeteve të blinduara në Serbi, tha ministri serb i Mbrojtjes, në një veprim që mund të përkeqësojë tensionet me fqinjët dhe të nxisë një garë armatimi në rajonin e lodhur nga luftërat.

Ministri Zoran Gjorgjeviç, tha se Putini është pajtuar për dërgesën gatë vizitës së kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç të hënën në Moskë. Ai tha se gjashtë avionë ushtarakë MiG-29, 30 tanke T-72 dhe 30 automjete të blinduara do të dërgohen së shpejti.

"Presidenti i Federatës Ruse tha se do të nënshkruajë dekretin dhe kur të jetë nënshkruar, ne do të veprojmë në përputhje me rrethanat", tha Gjorgjeviç. "Ne jemi duke pritur që procesi të përmbyllet në Rusi dhe të shohim se si do të dorëzohen (pajisjet) në Serbi."

Avionët do të duhej të fluturonin mbi vendet anëtare të NATO-s për të arritur në Serbi. Ose duhet të transportohen të ndara në avionë transportues, nëse vendet fqinjë pajtohen.

Gjergjeviç tha se avionët, tanket dhe autoblindat, dhuratë nga rezervat ruse, do të "modernizohen dhe rinovohen" në Serbi nga teknikët rusë për një shumë që nuk është bërë publike. Vlerësohet se vetëm modernizimi i avionëve MIG-29 do t'i kushtojë Serbisë rreth 200 milionë euro, afërsisht 216 milionë dollarë.

Gjorgjeviç tha më herët se Serbia është gjithashtu e interesuar për blerjen e një sistemi të mbrojtjes ajrore ruse, si dhe hapjen e një qendre riparimi për helikopterët rusë MIL që analistët besojnë se do të ishte praktikisht hapje e një baze ushtarake ruse në territorin e saj.

Serbia formalisht është në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por nën trysninë politike dhe propagandës nga Moska ka shkarë në mënyrë të vazhdueshme në drejtim të Kremlinit dhe qëllimit të tij për të mbajtur vendet e rajonit të Ballkanit jashtë NATO-s dhe integrimeve të tjera perëndimore.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë ngritur shqetësimin për shtimin e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimorë, i cili është përballur me luftëra të përgjakshme në vitet e 90-ta.

Ndërkohë, Kroacia, rivale e Serbisë dhe anëtare e NATO-s është duke blerë avionë të rinj për të zëvendësuar avionët e vjetër MiG 21.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG