Lidhje

Kremlini: “Vullnetarët” mund t’u bashkohen forcave siriane


Ligjvënësi rus Vladimir Komoyedov, la të hapur mundësinë që “vullnetarët” nga vendi i tij të luftojnë përkrah forcave qeveritare siriane

Një ligjvënës i lartë rus, tha se “njësitë e vullnetarëve rus”, përfshirë edhe veteranët e thekur në beteja që luftuan në Ukrainën Lindore, mund t’u bashkohen forcave qeveritare siriane në luftë kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik dhe terroristëve të tjerë në vend.

Admirali Vladimir Komoyedov, duke folur për agjencinë ruse të lajmeve Interfax-AVN, tha të hënën se përfshirja e Rusisë në terren në Siri është “e mundshme”. Komoyedov, kryetar i komisionit parlamentar të mbrojtjes nuk dha ndonjë afat për çfarëdo përfshirjeje ruse dhe nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm nga Kremlini deri të hënën mbrëma.

Komentet e ligjvënësit pasuan raportimet e pakonfirmuara të mediave se vullnetarët rus tashmë janë parë duke luftuar përkrah ushtrisë siriane.

Në një zhvillim tjetër, NATO-ja kërkoi shpjegime të menjëhershme pas njoftimeve të Turqisë për shkelje të hapësirës së saj ajrore nga avionët rus, që, sipas Moskës, kishin vënë në shënjestër caqet terroriste në veri të Sirisë. Një zyrtar i lartë moskovit fajësoi motin e lig.

Rusia filloi javën e kaluar sulmet ajrore në Siri, duke pohuar se po sulmon pozicionet e Shtetit Islamik dhe të atyre që ajo i quajti grupe “terroriste” – fraksionet e kryengritësve që i kundërvihen qeverisë siriane.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën se është takuar me ministrin e jashtëm turk Feridun Sinirlioglu, për të diskutuar operacionet ruse në Siri.

Trupi drejtues i aleancës, Këshilli Veri atlantik, tha se autoritetet turke kanë paralajmëruar disa herë avionët rus që të largohen nga hapësira ajrore. Këshilli i quajti ndërhyrjet “sjellje të papërgjegjshme” dhe kërkoi nga Rusia të shpjegojë se çfarë ka ndodhur.

Media ruse citoi zëdhënësin e ministrisë së mbrojtjes, Igor Konashenkov, të ketë thënë se incidentet me avionët rus në kufirin ndërmjet Sirisë dhe Turqisë ishin rezultat i “kushteve të motit të lig” dhe nuk ka asnjë arsye për të kërkuar “shkaqe konspirative”.

Ai tha po ashtu se komandantët e trupave ruse në Siri, “kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur incidentet e ngjashme në të ardhmen.

Qeveritë perëndimore kritikuan përfshirjen ruse në Siri, duke thënë se sulmet ruse po kryhen mbi kryengritësit, në vend të ekstremistëve, ndërsa shefi i NATO-s Stoltenberg, tha se kjo “nuk po i ndihmon sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon”.

Departamenti amerikan i shtetit i quajti të hënën ndërhyrjet në hapësirën ajrore turke si “të papërgjegjshme” e provokuese, ndërsa përfshirjen ushtarake ruse si “gabim strategjik në përgjithësi”.

Edhe Shtëpia e Bardhë është shprehur e shqetësuar, ndërsa një zyrtar i lartë i mbrojtjes tha se ndërhyrjet nuk ishin aksidentale. “Kjo është një formë e sjelljes joprofesionale që ne shpresonim të shmangnim”, tha zyrtari që nuk deshi të identifikohej.

Analisti i Institutit Brookings, Michael O'Hanlon, i tha Zërit të Amerikës, se tash për tash, nuk e di “nëse Rusia po përpiqej të provokonte dikë. Mund ta kem gabim”, tha ai. “Do të shohim nëse do të ndodhë sërish”.

Ministri i jashtëm sirian, Walid al-Moallem, tha se sulmet ajrore ruse pasojnë disa muaj përgatitjesh.

Ministria ruse e mbrojtjes, tha të hënën se forcat e saj kanë goditur nëntë objektiva të Shtetit Islamik gjatë ditëve të kaluara në Hama, Homs, Latakia dhe Idlib, duke qëlluar artilerinë, komunikimet, dhe qendrat komanduese së bashku me kampet e stërvitjeve.

Ministri i jashtëm Sergei Lavrov, tha se Iraku, ku Shtetet e Bashkuara po drejtojnë sulmet ajrore të koalicionit kundër grupit Shteti Islamik, nuk ka kërkuar që Rusia të kryej sulme ajrore atje.

Lavrov tha se Rusia është e hapur për të vendosur kontakte me Armatën e Lirë Siriane, një nga grupet kryengritëse që po lufton kundër qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad, tash e katër vjet.

Dhjetëra grupe të kryengritësve sirian, u zotuan të hënën për të sulmuar forcat ruse.

“Realiteti i ri kërkon që vendet e rajonit dhe aleatët posaçërisht, të nguten për krijimin e një aleance rajonale për t’u përballur me aleancën ruso-iraniane që po pushton Sirinë”, thuhet në një deklaratë të 41 fraksioneve të lëshuar nga grupi Ahrar al-Sham.

Assadi tha të dielën se e tërë Lindja e Mesme do të shkatërrohet nëse dështojnë bombardimet ruse mbi militantët që po i kundërvihen qeverisë së tij.

XS
SM
MD
LG