Lidhje

Rusia konfirmon kontaktin me këshilltarin e zotit Trump


Qeveria ruse ka konfirmuar se është kontaktuar nga një këshilltar i Donald Trumpit rreth një projekti të pasurive të patundshme në Moskë gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, Dmitri Peskov, tha të mërkurën se ai ka marrë një email nga avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen, lidhur me ringjalljen e një projekti për ndërtimin e një Kulle Trump në Moskë.

"Unë mund të konfirmoj se kam marrë një email nga z. Michael Cohen. Kjo vërtetë ka ndodhur" tha Peskov në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në Moskë.

Peskov tha se nuk i është përgjigjur emailit sepse nuk ishte i lidhur me punën e tij si zëdhënës dhe as nuk e ka diskutuar këtë çështje me Putinin.

Michael Cohen tha në një deklaratë në Komisionin e Inteligjencës të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili po heton ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, se kompania e zoti Trump kërkoi të ringjallte projektin e ndërtimit në Moskë. Sipas dokumenteve të dorëzuara në Kongres të hënën, kërkesa për ndihmë u bë përmes një emaili që zoti Cohen i dërgoi zotit Peskov në janar të vitit 2016.

"Meqë ky projekt është shumë i rëndësishëm, unë po kërkoj ndihmën tuaj. Kërkoj që dikush me respekt, mundësisht ju, të më kontaktoj në mënyrë që të mund të diskutoj rreth hollësive, si dhe të organizoj takime me individët e duhur", shkruante zoti Cohen.

Michael Cohen thoshte se projekti ishte braktisur për arsye të ndryshme.

Emaili i zotit Cohen përfaqëson shembullin më të drejtpërdrejtë të komunikimit të një ndihmësi të nivelit të lartë të zotit Trump me një zyrtar të lartë të qeverisë ruse. Kontakti midis bashkëpunëtorëve të zotit Trump dhe zyrtarëve rusë ka qenë në qendër të disa hetimeve mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

Organzata Trump, një kompani me shtrirje globale pronar i së cilës është zoti Trump, lëshoi një deklaratë të hënën në lidhje me këtë çështje.

"Të jemi të qartë se Organizata Trump kurrë nuk ka patur asnjë pronë të patundshme ose interes në Rusi", thuhet në deklaratë. Trump, megjithatë, dy vjet më parë ka nënshkruar një "letër pa fuqi ligjore mbi synimet" e kompanisë për projektin e propozuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG