Lidhje

Presidenti i Ukrainës kërkon mbështetjen e NATO-s në përballjen me Rusinë


Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, u kërkoi aleatëve të NATO-s të dergojnë anijet e tyre në Detin Azov, për të ndihmuar vendin e tij dhe “të ofrojnë siguri” në një periudhë tensionesh me Rusinë.

Komentet e presidentit Poroshenko, u publkuan të enjten në gazetën gjermane, Bild.

Po ashtu të enjten, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se mund të ndërmjetësojë në mes të Ukrainës dhe Rusisë.

Ai ka zhvilluar biseda telefonike me të dyja palët dhe tha se do të vazhdojë diskutimet e tij me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin amerikan, Donald Trump, ne takimin e G-20-tës në Argjentinë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidentët Putin dhe Trump do të takohen të shtunën për të diskutuar marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve sikurse edhe konfliktet rajonale dhe çështjet e çarmatimit.

Forcat ruse kapën të dielën tri anije ukrainase dhe ekuipazhet e tyre, që po lundronin nëpërmjet ngushticës Kerç për në portin ukrainas në Mariupol, në Detin Azov.

Ukraina tha se Rusia përdori një tanker për të bllokuar qasjen ne ngushticën Kerç, që sipas një traktati të vitit 2003, përbën ujëra të përbashkëta territoriale. Rusia tha se anijet hynë në mënyrë të paligjshme në ujerat e saj.

Putini fajëson Poroshenkon

Presidenti rus, Vladimir Putin, fajësoi presidentin ukrainas, Petro Poroshenko për incidentin, duke pretenduar se ishte një përpjekje për të rritur mundësitë e presidentit ukrainas në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Ukraina shpalli ligjin e luftës në disa nga rajonet e saj kufitare, si përgjigje ndaj incidentit dhe i bëri thirrje perëndimit për më shumë sanksione ndaj Moskës.

Presidenti, Petro Poroshenko, tha se shpallja e ligjit të luftës do të ndihmojë “forcimin e mundësive mbrojtëse të Ukrainës përballë agresionit nga Federata Ruse”. Ai kërkoi nga Rusia të lirojë marinarët dhe anijet e kapura.

Volker: I besoj Kievit

I dërguari i posaçëm amerikan për Ukrainën, Kurt Volker, u tha gazetarëve në Berlin, se ai u beson pohimeve të Kievit që anijet po lundronin brenda rregullave globale detare.

Ai tha se anijet ukrainase po ktheheshin në Odessa “kur u ndoqën dhe sulmuan nga anijet ruse”.

Zyrtarët ukrainas publikuan vendin ku ndodheshin anijet kur u qëlluan.

Zoti Volker tha se nuk kishte marrë ende ndonjë pohim nga Shtetet e Bashkuara për informacionet e ofruara nga Ukraina, por beson që “e dhëna e ofruar nga ukrainasit është e qartë”.

Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë në mars të vitit 2014, duke pretenduar se shumica etnike ruse është e kërcënuar nga qeveria ukrainase. Një muaj më vonë ajo nxiti një kryengritje separatiste proruse në Ukrainën Lindore, një konflikt që deri tash u ka marrë jetën 10 mijë vetave.

Ukraina dhe perëndimi vazhdimisht e kanë akuzuar Rusinë për nxitje të konfliktit duke mbështetur kryengritësit me armë, një akuzë që Moska e ka mohuar vazhdimisht, me gjithë dëshmitë e forta për të kundërtën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG