Lidhje

Rusia, thirrje Ukrainës të bisedojë me separatistët


Ministri i Jashtëm rus i bëri sot thirrje qeverisë së Ukrainës të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me separatistët për t’i dhënë fund konfliktit shtatë mujor, por qeveria ukrainase e hodhi poshtë menjëherë këtë propozim.

Në një fjalim sot në Dhomën e Ulët të Parlamentit, Duma, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov bëri thirrje për vendosjen e kontakteve të qëndrueshme mes Kievit dhe separatistëve në Ukrainën lindore me synimin për të arritur një marrëveshje të pranueshme nga të dyja palët.

Lavrovi akuzoi Kievin se po përpiqet t’i përjashtojë separatistët nga negociatat dhe të detyrojë Perëndimin ta shtyjë Rusinë në konflikt, duke shtuar se këto janë veprime provokative, të dëmshme dhe të destinuara për të dështuar.

Sot Kryeministri i Ukrainës Aseniy Yatsenyuk tha se qeveria e tij nuk do të zhvillojë bisedime me ata që i cilësoi si terroristë rusë.

Po sot, Presidenti rus Vladimir Putin tha se vendi i tij dëshiron të ketë me Shtetet e Bashkuara një marrëdhënie bazuar tek respekti i ndërsjelltë, një ditë pasi i kishte akuzuar Shtetet e Bashkuara se synojnë ta “nënshtrojnë” Rusinë.

Në komentet sot në Kremlin gjatë dhënies së letrave kredenciale një grupi diplomatësh të huaj, zoti Putin tha se Rusia është gati për një bashkëpunim praktik me Shtetet e Bashkuara bazuar në respektimin e interesave të ndërsjellta, të drejtave të barabarta dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme.

Ai tha se dy vendet kanë një përgjegjësi të veçantë në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në botë dhe përgjigjes ndaj sfidave dhe kërcënimeve globale.

XS
SM
MD
LG