Lidhje

Bisedime Samaras-Hollande


Presidenti francez u bëri thirrje politikanëve grekë të vazhdojnë reformat

Presidenti francez Francois Hollande thotë se Greqia duhet të mos largohet nga eurozona dhe i ka nxitur udhëheqësit grekë të sigurohen që reformat ekonomike që ata kanë premtuar do të mund të përballohen nga populli grek.

Presidenti Hollande u takua sot në Paris me kryeministrin grek Antonis Samaras, për të diskutuar lidhur me planin e ndihmave për Greqinë. Presidenti francez tha se Greqia duhet të demonstrojë besueshmëri për planin e tij për zgjidhjen e problemeve ekonomike që ka vendi.

Zoti Samaras tha se ai ka besimin se Greqia do të mbetet në Eurozonë. Megjithatë, ai i ka thënë vazhdimisht udhëheqësve evropianë se Greqisë i nevojitet më tepër kohë për të zbatuar shkurtimet masive të shpenzimeve, për të cilat Bashkimi Evropian këmbëngul në këmbim të ndihmës sociale për Greqinë.

Ky takim vjen një ditë pas bisedës që kryeministri Samaras pati me kancelaren gjermane Angela Merkel, gjatë së cilës ai kërkoi më tepër kohë për të zbatuar shkurtimet e shpenzimeve, që i janë kërkuar Greqisë si kusht për paketën e ndihmave.

Kancelarja Merkel nuk komentoi lidhur me përpjekjet e Athinës për stabilizimin e ekonomisë së vendit, por edhe ajo tha se Greqia duhet të mbetet në Eurozonë. Gjermania kërkon që Athina t’i mbajë zotimet që ka marrë për zbatimin e masave të ashpëra ekonomike.
XS
SM
MD
LG