Lidhje

Samiti i BE-së, çështja e emigracionit dhe reagimi ndaj Presidentit të ri amerikan


Bashkimi Evropian ka miratuar një marrëveshje bashkëpunimi me forcat e sigurisë në Libi, në përpjekje për të ulur numrin e emigrantëve që mbërrijnë në brigjet e Evropës. Por, analistët paralajmërojnë se BE-ja po rrezikon të thellojë ndasitë politike në Libi. Gjithashtu, organizatat e ndihmave e kanë kritikuar këtë marrëveshje, pasi nuk merr parasysh rreziqet me të cilat përballen emigrantët në këtë vend.

Sipas marrëveshjes, BE-ja do t’i japë qeverisë libiane që mbështetet nga OKB-ja, 215 milionë dollarë për forcimin e forcave të sigurisë dhe rojes bregdetare. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se kjo është një përqasje e sprovuar:

“Partneriteti dhe bashkëpunimi me vende fqinje për emigracionin, siç vepruam me Turqinë për detin Egje, janë përgjigja e vetme për të luftuar emigracionin e paligjshëm.”

Evropa tashmë pret nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht në Tripoli që të zbatojë marrëveshjen. Por, fraksione të tjera rivale kontrollojnë pjesë të gjera të vendit dhe ato nuk përfshihen në marrëveshje.

“Duhet një marrëveshje më e gjerë që do të përfshijë edhe aktorët e tjerë në Libi”, thotë Luigi Scazzieri, i Qendrës për Reformimin Evropian.

Në Evropë po rritet shqetësimi se Uashingtoni mund ta zhvendosë mbështetjen drejt Gjeneralit autoritar Khalifa Haftar, megjithëse Presidenti Donald Trump nuk ka sinjalizuar ndryshim politikash.

“Kjo do ta vendoste Evropën në kundërshti me politikën amerikane. Prandaj, ndoshta do t’u duhet udhëheqësve evropianë ta përshtasin politikën për t’ja përafruar qëndrimit që mund të mbajë SHBA-ja”, thotë zoti Scazzieri.

Udhëheqësit e BE-së kanë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet t’i përgjigjen Presidentit Trump. Disa shprehën shqetësime për stilin e tij të udhëheqjes, si p.sh. Presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaite, që dha një intervistë për radio:

“Nuk mendoj se është e nevojshme të ndërtojmë ura, pasi ne komunikojmë online tashmë me Shtetet e Bashkuara nëpërmjet Twitter-it.”

Kryeministrja britanike Theresa May, e cila ishte udhëheqësja e parë e huaj që u takua me Presidentin e ri në Uashington, e paraqiti veten si ura që ndërlidh aleatët:

“Kur e takova, ai më konfirmoi përkushtimin e tij total ndaj NATO-s.”

Zonja May u largua më herët nga samiti, pasi nuk ishte e përfshirë në sesionin përmbyllës rreth bisedimeve për daljen e pritshme të Britanisë nga Bashkimi Evropian. Marrëdhënia po bëhet gjithnjë e më e hidhur, ndërsa Britania po tenton të ketë fuqi negociuese gjatë bisedimeve.

“A do ta përdorë si kartë negocimi p.sh. bashkëpunimin në fushën e sigurisë?” shtron pyetjen zoti Scazzieri.

Kërcënimet ndaj sigurisë u risollën në vëmendje të premten, ndërsa në Paris ndodhi një tjetër incident terrorist. Forcat e sigurisë plagosën një person që sulmoi patrullën ushtarake në hyrje të galerisë së muzeut të Luvrit.

XS
SM
MD
LG