Lidhje

Moska proteston për "kontrollin e paligjshëm" në ndërtesat e saj diplomatike


Konsullata ruse në Uashington
Konsullata ruse në Uashington

Ministria e Jashtme e Rusisë thirri të shtunën një diplomat amerikan në Moskë, si protestë zyrtare për kontrollet në objektet diplomatike të Moskës në Shtetet e Bashkuara.

Përmes një deklarate, Ministria e Jashtme ruse thirri zëvendës ambasadorin amerikan në Moskë, lidhur me "kontrollin e paligjshëm" në një ndërtesë diplomatike ruse në Uashington, e cila është në plan të mbyllet të shtunën.

Rusët e cilësuan inspektimin "një veprim agresiv i paprecedent". duke thënë se autoritetet amerikane mund ta shfrytëzojnë këtë rast si një mundësi për "vendosjen e objekteve kompromentuese" në ndërtesë.

Zyrtarët amerikanë të enjten i kërkuan Rusinë të mbyllë tre ndërtesa diplomatike në Shtetet e Bashkuara, në Uashington, në San Fransisko dhe në Nju Jork, pjesë e konfliktit të vazhdueshëm midis të dy vendeve rreth sanksioneve amerikane ndaj Moskës.

Zyrtarët amerikanë thonë se veprimi u ndërmor në përgjigje të kërkesës që Moska i bëri Uashingtonit muajin e kaluar për pakësimin me 755 vetë të personelit të saj diplomatik në Rusi.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë komentuar lidhur me inspektimet në ndërtesat diplomatike ruse.

Konsullata ruse në San Fransisko
Konsullata ruse në San Fransisko

Ministria e jashtme e Rusisë më parë akuzoi FBI-në për planifikimin e kontrolleve në konsullatën e saj në San Francisco, pas urdhërit amerikan për mbylljen e kësaj konsullate.

Një zëdhënëse e ministrisë, tha se kontrollet, të cilat zyrtarët amerikanë nuk i kanë konfirmuar, “do të përbënin një kërcënim të drejtpëdrejtë për sigurinë e shtetasve rusë”.

Ndërkohë, në konsullatë janë thirrur zjarrfikësit, pasi nga oxhaku i ndërtesës u pa të dilte tym i zi, por ata nuk janë lejuar të hyjnë. Zjarrfikësit arritën në përfundimin se zjarri është kufizuar tek një oxhak diku në godinë.

Një zëdhënëse e zjarrfikëseve të San Franciscos i tha gazetarëve se ishte e pakuptimtë ndezja e oxhakut në një ditë kur temperatura jashtë është 35 gradë Celsius.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG