Lidhje

Pallati mbretëror Sansusi në Gjermani


Vizitorët në Berlin po zgjedhin të ndërmarrin një ditë udhëtim jashtë tij për të zbuluar një pallat të mbrekullueshëm mbretëror pranë tij. Pallati Sansusi në Potsdam mirëpret gati 3.5 milionë vizitorë në vit, që shkojnë atje për të eksploruar historinë e tij dhe atë të ish banorit të tij Frederikut të Madh.

Vetëm një udhëtim i shkurtër larg Berlinit të zhurmshëm të çon në një nga lukset e Prusisë.

Pallati Sansusi, i ndërtuar nga Frederiku i Dytë i Prusisë, apo Frederiku i Madh në vitet 1745-1747, mund të duket larg klubeve të natës, restoranteve dhe kafeneve modern të Berlinit. Por pallati dhe parku që e rrethon, është vetëm 40 minuta me makinë nga kryeqyteti gjerman. Dhe me turizmin që po lulëzon në Berlin – udhëtimet ditore si ai në Sansuçi pritet të rrisin këtë tendencë.

Tani gati 3.5 milionë njerëz vizitojnë çdo vit parkun Sansuçi dhe gati 350 000 paguajnë 12 euro për të hyrë dhe për të parë pallatin.

Heinz Buri, drejtori i komunikacioneve në fondacionin e pallateve në Brandenburg shpjegon arsyen përse kaq shumë njerëz shkojnë në Potsdam për të vizituar pallatin dhe kopshtet e tij.

"I gjithë parku në pallatin Sansusi iu shtua listës së trashëgimisë botërre të UNESCO-s në vitin 1990. Arsyeja e popullaritetit të tij është kombinimi i artit në kopshte dhe arkitekturës së ndërtesave."

Frederiku i Madh e ndërtoi pallatin si shtëpi pushimi larg rutinës së përditshme në Prusi. Emri i pallatit është francez, gjuha e folur gjerësisht në oborrin mbretëror.

Ai e bleu zonën e quajtur “kodra e braktisur” në vitin 1744 dhe urdhëroi mbjelljen e një vreshte mbi shpat. Pak pasi përfundoi vreshta ai urdhëroi ndërtimin e pallatit mbi kodër.

Arkitekti Georg Wenzeslaus von Knobelsdorff mbikëqyri projektin dhe ndërtesa përfundoi në vitin 1747. Qysh atëherë pallati u bë ikona e perandorisë prusiane. Por siç shpjegon zoti Buri, nuk ka asgjë prusiane rreth stilit të ndërtesës dhe parkut përreth.

"Interesant është fakti, që mbretërit prusianë nuk zhvilluan stilin e tyre të ndërtimit. Ata ishin plagjaristë krijues; morën stile të ndryshme nga epoka të ndryshme dhe i sollën në Sansusi".

Në pallatin Sansusi vizitorët përballen me anën artistike dhe filozofike të mbretit.

Një nga dhomat e pallatit quhet dhoma Volter pas filozofit francez, që qëndroi aty për një kohë të gjatë si mik i mbretit.

Këtu në dhomën e muzikës vizitorët mund të shohin ende flautin e Frederikut të Madh.

Gesa Poelert, eksperte e historisë thotë se flauti ishte i shenjtë për mbretin:

"Frederiku i Madh ishte një mbret që e donte muzikën. Ai kompozonte dhe lunate në flaut. Këtu mund të shihni flautin që lunate si dhe pianon që Karl Philipp Emanuel Bah, djali i Johan Sebastian Bahut, luante”.

Vizitorët në pallat shohin jo vetëm sesi jetonin mbretërit dhe mbretëresha në shekullin e 18 por mund të admirojnë edhe artin bashkëkohor.

Ky portret origjinal i Frederikut të Madh nga Andy Warhol përshëndet vizitorët në hyrje të pallatit.

Në vitin 2013 gati 55 për qind e vizitorëve ishin gjermanë, 13.1 për qind francezë, 8.5 për qind amerikanë dhe 8.1 për qind hollandezë.

Elona dhe Clemens Panitz nga Dresdeni po vizitojnë pallatin për të tretën herë dhe janë të impresionuar.

"Parku duket që mirëmbahet. Është kënaqësi të ecësh në të," thotë Elona Panitz.

Colin Ward është nga Çikago:

"Është shumë bukur. Ne nuk kemi kështjella apo pallate mbretërore në Amerikë. Është ndryshe dhe shumë bukur".

Parku Sansusi është i hapur dhe falas gjatë gjithë vitit.

XS
SM
MD
LG