Lidhje

Sao Paulo, përgatitjet para Kupës së Botës


Sao Paulo, qyteti më i madh Brazilit dhe qytetit ku sot do të zhvillohet ndeshja e parë e Kupës së Botës, ende nuk është rimëkëmbur nga një grevë tre ditore e punonjësve të tranportit publik. Në protestat e kohëve të fundit në Brazil vendi është kritikuar se ka shpenzuar më shumë për organizimin e Kupës së Botës se sa për ndërtimin e shkollave dhe spitaleve. Por, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Sao Paulo, Nicolas Pinault, jeta në Sao Paulo ka filluar t’i kthehet normalitetit në prag të ndeshjes së parë.

Kryeqyteti ekonomik i Brazilit ka filluar t’i kthehet normalitetit. Por greva e fundit është në mendjet e banorëve. Grevistët e shërbimit të trenave bllokuan qytetin për tre ditë duke ngritur shqetësime në mbarë botën.
Mësuesja në pension, Vera Lucia Gatti thotë se shumë brazilianë janë të zëmëruar që qeveria ka shpenzuar miliarda dollarë në stadiume ndërkohë që spitalet dhe shkollat janë në gjendje të rëndë.

“Mendoj se parat duhet të ndaheshin. Një pjesë e tyre duhej të përdorej për Kupën e Botës, pak për shkollat dhe pak për spitalet. Kjo duhej të ndodhte por nuk u bë kështu”.

Pronarët e dyqaneve në qendër të Sao Paulos shpresojnë të kompensojnë humbjet që pësuan gjatë grevës. Ata mendojnë se fillimi i Kupës së Botës sot do të sjellë shumë turistë të cilët do të jenë një burim fitimi për ta. Maria Elizabeth ka një dyqan pranë stacionit të metrosë Republica.

"Unë u dëmtova nga greva. Jam nga Santana dhe përdor trenat shumë. Të gjithë janë ndikuar nga greva. Shitjet pësuan rënie sepse askush nuk ishte në gjendje të vinte në qendër të qytetit për shkak të grevës".

Në stadiumin ku pas disa orësh do të zhvillohet ndeshja e parë e Kupës së Botës mes Brazilit dhe Kroacisë, dje organizatorët po nxitonin për të përfunduar përgatitjet. Zyrtarisht, stadiumi Corinthians Arena ishte gati, por shumë punëtorë vazhdonin të punonin dhe ashensorë të përkohshëm ishin të pranishëm kudo.

Vonesat si këto kanë qenë një problem i madh, dhe komiteti organizativ brazilian për Kupën e Botës është kritikuar rëndë muajt e fundit. Rafael Alcadipani është ndihmës profesor në universitetin Fondacioni Getúlio Vargas.

"Kupa e Botës është organizuar në vende të ndryshme gjatë 50 viteve të fundit dhe askush deri më tani nuk ka sfiduar FIFA-n më shumë se sa brazilianët. Mendoj se ky është një mesazh shumë i fortë për botën. Brazilianët janë duke thënë se "nuk pranojnë këtë lloj qeverisjeje të futbollit në botë". Ne duhet të ndryshojmë FIFA-an për ta bërë futbollin popullor përsëri".

Kritikat ndaj FIFA-s nuk janë një shqetësim i madh për tifozët nga mbarë bota të cilët mezi presin t’i shohin ndeshjet. Maria është tifoze nga Kili.

"Jam shumë e gëzuar. Ky është vend i mrekullueshëm, njerëzit janë mikpritës dhe të mirë".

Pra, festa tashmë ka filluar dhe tifozët thjeshtë po presin fillimin e ndeshjeve të Kupës së Botës.
XS
SM
MD
LG