Lidhje

Sarkozi, Merkel diskutojnë ndihmën për Greqinë


Sarkozi, Merkel diskutojnë ndihmën për Greqinë
Sarkozi, Merkel diskutojnë ndihmën për Greqinë

Udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës shpresojnë të hartojnë një plan për të ndihmuar qeverinë e Greqisë, të mbytur nga borxhet, të jetë në gjendje të paguajë këstet e huasë.

Presidenti francez Nikola Sarkozi shkoi të mërkurën në Berlin, në një udhëtim të planifikuar në minutën e fundit, për t’u takuar me kancelaren Angela Merkel, një ditë para takimit të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Në takimin e së enjtes udhëheqësit evropianë do të diskutojnë rreth mundësisë së një pakete të dytë ndihmash për Greqinë, veç asaj që ky vend mori vitin e kaluar. Zonja Merkel tha të martën se ajo nuk pret që takimi i BE-së, të ofrojë ndonjë zgjidhje, siç u shpreh ajo, “spektakolare” për problemet financiare të Greqisë.

Udhëheqësja gjermane tha se për përmirësimin e ekonomisë së Greqisë duhet të merren një sërë masash. Si Bashkimi Evropian edhe Banka Qendrore Evropiane kanë paralajmëruar se në se Greqia mbetet pas me pagesat e huave nga paketa e parë e ndihmave ndërkombëtare, pasojat do t’i vuante gjithë ekonomia e Evropës.

Disa kanë sugjeruar që në koston e paketës së re të ndihmave të kontribuojnë edhe investitorë privatë. Të martën kancelarja Merkel bisedoi edhe me presidentin Obama për krizën financiare. Ata ranë dakort që masat për të shpëtuar ekonominë e Greqisë të jenë të efektshme, në mënyrë që ekonomia evropiane dhe ajo globale të vazhdojnë në kursin e përmirësimit.

XS
SM
MD
LG