Lidhje

Bllokohen sasi marijuane drejt Greqisë dhe Italisë


Policia shqiptare tha të dielën në mbrëmje se bllokoi në Pikën e Qafë-Botës në kufi me Greqinë, 45 kilogramë marijuanë që po transportohej drejt Greqisë. Lënda narkotike ishte fshehur në një automjet ku ishte krijuar një zonë e posaçme për të fshehur marijuanën.

Trafiku i narkotikëve në kufirin mes të dy vendeve u shtua gjatë janarit, dhe si në anën greke edhe atë shqiptare janë bllokuar disa qindra kilogramë marijuanë. Trafikantët grekë dhe shqiptarë kanë riaktivizuar lidhjet e vjetra dhe po ndjekin mënyra të ndryshme për të futur sasitë e narkotikëve në brendësi të territorit grek me automjete, “korrierë” nga kufiri tokësor, madje edhe me kafshë pune.

Ndërkohë Policia italiane njoftoi për një tjetër mjet lundrimi të bllokuar në brigjet italiane të Leçes. Sipas shtypit lokal, që i referohet policisë, 760 kilogramë marijuanë u bllokuan në bordin e një skafi ku u arrestuan 2 italianë dhe një shqiptar. Duke iu referuar burimeve të policisë, shtypi në Leçe thotë se vetëm gjatë muajit janar në këtë zonë është bllokuar rreth 5 tonë marijuanë e ardhur nga Shqipëria. Shtypi vlerëson se përgjatë gjithë vitit 2016 në po këtë zonë, në kufi me Shqipërinë, ishte bllokuar rreth 20 tonë marijuana, e transportuar kryesisht përmes hapësirës detare.

Analistët vlerësojën se pasi rrjetet kriminale dështuan të transportojnë me avionë të vegjël nga Shqipëria sasi të mëdha marijuane të kultivuar në zona të ndryshme të vendit, tani po intesifikojnë trafikun përmes hapësirës detare nga Vlora drejt brigjeve italiane. Trafikantët shqiptarë dhe italianë kanë mjete të shpejta lundrimi, të cilat në mjaft operacione kanë shfaqur rrezik edhe për mjetet e shpejta të lundrimit të rojës bregdetare italiane.

XS
SM
MD
LG