Lidhje

Arrestimet në Arabinë Saudite, reagon DASH

  • Cindy Saine

Departamenti amerikan i Shtetit po i bën thirrje Arabisë Saudite të vazhdojë “në mënyrë të drejtë dhe transparente” procesin për ndjekjen penale të disa zyrtarëve të lartë dhe pjesëtarëve të familjes mbretërore. Ky reagim pason një spastrim të gjerë të zyrtarëve sauditë të shtunën nga Mbreti Salman dhe Princi Trashëgimtar, Muhamad bin Salman.

Zhvillimet dramatike në Arabinë Saudite kanë tronditur mbarë Lindjen e Mesme. Nën arrest janë Princi Alwaleed bin Talal, një ndër njerëzit më të pasur në botë, si dhe pjesëtarë të tjerë të familjes mbretërore, ministra dhe investitorë, që tani po mbahen në një hotel luksoz në Riad.

Presidenti Donald Trump postoi në Twitter një koment ku përshëndeste operacionin. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit reagoi pas njoftimit:

“Vazhdojmë të nxisim autoritetet saudite të ndjekin penalisht këta zyrtarë që dyshohen për korrupsion. Duam të shohim një proces të drejtë dhe transparent dhe i bëjmë thirrje qeverisë saudite të ndjekë këtë rrugë,” tha Heather Nauert.

Zëdhënëses iu drejtua pyetja nëse është dakord me mbështetjen që shprehu Presidenti Trump për procesin, ajo u përgjigj se kjo pyetje duhet t’i drejtohet Shtëpisë së Bardhë.

Analistët thonë se udhëheqja saudite po përpiqet t’u përgjigjet me guxim disa sfidave, përfshirë goditjen e korrupsionit në shkallë të gjerë dhe ballafaqimin me Iranin.

“Këto arrestime janë pjesë, së paku nga ana sipërfaqësore, e luftës kundër korrupsionit. Por ajo që ka shkaktuar bujë është fakti se në mes të të arrestuarve ka figura shumë të njohura, një prej tyre me një pasuri prej gjysmë trilioni dollarë, i cili njihet në shumë qarqe amerikane; po ashtu ka njerëz të tjerë me emër. Imagjinoni sikur të zgjohesh një ditë në Amerikë dhe të mësosh se janë arrestuar Bill Gates dhe Warren Buffet. Si mendoni? Do ta shtonte ky fakt besimin tek ekonomia e vendit?” – pyet Hady Amr, analist në Institutin “Brookings”.

Zëdhënëses Nauert iu drejtua edhe pyetja nëse këto arrestime mund të kenë ndikim destabilizues në rajon.

“Mendoj se e dimë mirë se mbi kë bie përgjegjësia për një pjesë të madhe të destabilizimit në rajon. Kemi parë çfarë bën Irani. Kemi parë veprimet iraniane në Jemen. Kemi parë dorën e Iranit në Siri dhe në vende të tjera,” - tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit.

Një tjetër zhvillim në rajon, dorëheqja e kryeministrit libanez Saad Hariri të dielën, ka bërë që ekspertët të shqetësohen për mundësinë e trazirave të reja në Lindjen e Mesme, ndërkohë që në Jemen zien konflikti. Analisti Amr shpreson se Sekretari Tillerson do të jetë në gjendje të ndikojë për të qetësuar situatën:

“Besoj se Sekretari Tillerson gëzon njohuritë dhe aftësitë për ta realizuar këtë, falë përvojës së gjatë në Exxon, ku është marrë me rivalitete e konflikte mes vendeve të Gjirit Persik. Por unë nuk e kam ende të qartë nëse Presidenti Trump e do një gjë të tillë,” thotë analisti.

Zoti Amr thotë se Presidenti Trump mund të jetë duke luajtur një lojë të rrezikshme, nëse ka në plan të trondisë Lindjen e Mesme ashtu siç ka bërë me politikat e brendshme amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG