Lidhje

Save the Children: Shqipëria, ritme të larta të vdekshmërisë gjatë lindjes


Organizata prestigjoze Save the Children ka publikuar ditët e fundit raportin e saj vjetor mbi gjendjen e nënave në botë. Raporti është një thirrje për veprim ndaj qeverive mbi vëmendjen që duhet t’u kushtohet nënave për të garantuar një të ardhme të shëndetshme për kombin. Shoqata nënvizon një numër problemesh që vërehen në Shqipëri në drejtim të mirëqënies së nënës dhe fëmijës.

Këtë vit, Save the Children përqendrohet tek rëndësia e ushqyerjes së mirë të fëmijëve në 1000 ditët e para të jetës, një periudhë që përfshin 9 muajt e shtatzanisë dhe 2 vitet e para të jetës së foshnjes. Është një ndër periudhat kritike në jetë thotë specialistja për ushqimin pranë kësaj organizate, Paige Harrigan.

“Nëse problemet e kequshqyerjes nuk kapen dhe korigjohen brenda 1 mijë ditëve të para të jetës, është shumë e vështirë të ndreqet kjo mungesë”.

Raporti i organizatës analizon 165 vende, të cilat i ndan në dy kategori – vende më të zhvilluara dhe vende më pak të zhvilluara, të cilat vlerësohen në bazë të tre indekseve: mirëqënia e nënës, mirëqënia e fëmijës dhe mirëqënia e përgjithshme e gruas. Të dhënat janë përftuar nga statistikat e Të dhënat janë përftuar nga statistikat e Organizata Botërore e Shëndetësisë, UNICEF-it, dhe Bankës Botërore. Shqipëria, e cila përfshihet në kategorinë e vendeve më të zhvilluara, renditet e fundit në grupin me 43 vende në të tria këto indekse.

Megjithë përmirësimet që autoritetet shqiptare deklarojnë në shëndetin e gruas, raporti identifikon një numër problemesh serioze në këtë indeks:

“Në Shqipëri përdorimi i kontraceptivëve është tepër i ulët, në 10 për qind të popullatës krahasuar me mbi 80 % në vende që dilnin më mirë. Personeli i kualifikuar gjatë lindjes është i kufizuar dhe rreziku nga vdekja gjatë lindjes është mjaft i lartë, një në 1 mijë e 700”.

Vdekshmëria gjatë lindjes në Shqipëri mbetet më e larta në kategorinë e vendeve më të zhvilluara. Si ilustrim, ritmet e vdekshmërisë prej 1 në 1700 gra gjatë lindjes janë dy herë më të larta se ato të regjistruara në Mal të Zi, apo afro 4 herë më e lartë se vdekshëria në Serbi ose Maqedoni. Ndërkaq, në një vend me zhvillim të lartë si Italia, vdekshmëria e nënës gjatë lindjes regjistrohet në 1 në 15000.

Shqipëria ka ndërkaq ritmet më të ulëta për sa i përket nivelit të arsimit që marrin gratë brenda grupimit të vendeve më të zhvilluara.

“Vërehet një lidhje e qartë mes nivelit të arsimit të nënës dhe mundësisë së grave për të marrë vendime në mënyrë të pavarur dhe mirëqënies së fëmijëve. Kemi vërejtur gjithashtu ndërlidhje mes mbështetjes që u jep shoqëria përparësive të nënës dhe mbarëvajtjes së fëmijëve”.

Zonja Harrigan ndalet në veçanti tek problemet që shfaqet në Shqipëri në vitet e para të jetës së fëmijëve:

“Shqipëria është një rast shumë interesant për sa i përket ushqyerjes. Problemi i kequshqyerjes shfaqet nga njëra anë me peshën e ulët që vërehet në fëmijë të moshës nën pesë vjeç. Por po shfaqet edhe problemi i obezitetit tek një përqindje e fëmijëve. Ky zbulim është diçka që vendim-marrësit duhet ta ndjekin me vëmendje, pasi ka ndikim real tek mbarëvajtja e një popullate dhe produktiviteti i saj”.

Shqipëria ka gjithashtu ritme shumë të larta të vdekshërisë nën moshat 5 vjeç.

Problemet e theksuara ekonomike për një pjesë të popullatës u vërejtën edhe në raportin e fundit të UNICEF-it, që konstatoi se afro një e katërta e familjeve me fëmijë nën 18 vjeç jeton nën nivelin e varfërisë.

Autoritetet shqiptare e pranojnë ekzistencën e problemit dhe kanë vënë në zbatim nisma të përbashkëta me UNICEF-in dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë të përqendruara tek problemi i kequshqyerjes.

Megjithë vëmendjen dhe fondet, Shqipëria mbetet prapa vendeve të rajonit dhe për pesë vjet radhazi, shoqata Save the Children e rendit në fund të listës të vendeve të zhvilluara në raportin mbi gjendjen e nënave të botës.

XS
SM
MD
LG