Lidhje

Gjermani, Seehofer ofron dorëheqjen


Germany Government
Germany Government

Ministri i brendshëm i Gjermanisë pritet të zhvillojë bisedime me partinë e kancelares Angela Merkel pasi ofroi dorëheqjen në një grindje të ashpër mbi politikën e migracionit. Shenjat e një kompromisi të mundshëm deri tani janë të pakta.

Pas largimit nga një takim i partisë së tij Bashkimi Kristian-Social në Mynih sot në orët e para të mëngjesit, Horst Seehofer tha se bisedimet e propozuara me zonjën Merkel ishin "një akt i vullnetit të mirë" nga ana e tij:

"Unë thashë se do të ofroja dorëheqjen nga të dyja postet dhe se do ta vendosja këtë gjatë tre ditëve të ardhshme. Thashë gjithashtu se do të kemi bisedime të mëtejshme për të arritur një mirëkuptim me partinë CDU të Merkelit".

Mosmarrëveshja, që e ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e qeverisë gjermane të formuar vetëm tre muaj e gjysmë më parë, e përball Ministrin e Brendshëm Seehofer dhe partinë e tij Bashkimi Kristian Social bavarez me zonjën Merkel, kreu i partisë simotër të koalicionit, Bashkimi Kristian Demokrat.

Në prag të zgjedhjeve të vështira në landin e Bavarisë, që zhvillohen në tetor, Bashkimi Kristian Social është i vendosur të tregojë se mban qëndrim të ashpër për emigracionin.

Seehofer synon të kthejë mbrapsht azilkërkuesit që janë të regjistruar në një vend tjetër të Bashkimit Evropian në kufirin e Gjermanisë, ndërsa zonja Merkel këmbëngul se Gjermania nuk duhet të ndërmarrë veprime të njëanshme.

“Nesër do të kemi bisedime të mëtejshme për të arritur një marrëveshje mbi çështjen kyçe të kontrolleve kufitare dhe largimin e emigrantëve në interes të vendit tonë si dhe mbi aftësinë e koalicionit për të vepruar dhe në interes të qeverisë që duam të mbajmë. Unë shpresoj se do të kemi sukses.”

Zoti Seehofer, argumenton se masat për emigracionin për të cilat u ra dakord në takimin e Bashkimit Europian javën e kaluar nuk janë të mjaftueshme.

Ndërkohë, udhëheqja e partisë së zonjës Merkel natën e së dielës miratoi një rezolutë ku thuhej se "kthimi i njerëzve në mënyrë të njëanshme do të ishte sinjali i gabuar për partnerët evropianë".

Nuk është e qartë se çfarë ndikimi do të kishte dorëheqja e zotit Seehofer si ministër i brendshëm dhe si udhëheqës i partisë së tij, mbi koalicionin qeverisës të partive konservatore me socialdemokratët e qendrës së majtë.

Zëvëndësi i tij i mundshëm si kreu i partisë është shprehur edhe më ashpër për emigracionin në mosmarrëveshjen e tanishme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG