Lidhje

Mattis: SHBA nuk ndodhet në Irak për naftën


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, tha sot se Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të marrin naftën e Irakut, gjë që ishte përmendur më parë nga Presidenti Donald Trump si formë shpërblimi për aktivitetin e atjeshëm ushtarak amerikan, si dhe për të parandaluar tregtimin e naftës nga Shtetit Islamik.

Zoti Mattis bisedoi me gazetarët që e shoqëronin në këtë vizitë të paparalajmëruar, ndërsa ka hyrë në ditën e dytë ofensiva ushtarake kundër Shtetit Islamik në pjesën perëndimore të Mosulit.

Ai tha: “Mendoj se të gjithë ne këtu, të gjithë ne në Amerikë, kemi paguar për naftën dhe gazin dhe jam i sigurtë që do ta vazhdojmë këtë gjë edhe në të ardhmen. Nuk ndodhemi në Irak për të marrë naftën e askujt.”

Vizita e tij në Irak përfshin takime me Kryeministrin Haider al-Abadi dhe zyrtarë të tjerë, si dhe me Gjeneral Leitnant Stephen Townsend që është komandant i koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja kundër Shtetit Islamik.

Sekretari Mattis po harton një plan të tijin për të përshpejtuar luftën kundër Shtetit Islamik. Më 28 janar, Presidenti Trump pati urdhëruar që ky plan i ri t’i dorëzohej brenda 30 ditëve.

Ndërsa filloi të dielën ofensiva e Mosulit, zoti Mattis tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luajnë të njëjtin rol mbështetës nëpërmjet sulmeve ajrore dhe këshilltarëve pranë njësive ushtarake irakiane.

“Nuk dua të hyj në detaje për sulmin, për shkak të ruajtjes së konfidencialitetit për njësitë që po marrin pjesë. Sidoqoftë, ne jemi shumë pranë, madje të angazhuar në këtë betejë. Forcat amerikane vazhdojnë të luajnë të njëjtin rol si në Mosulin lindor dhe operacioni po mbështetet nga forcat e koalicionit. Ne do të vazhdojmë me përpjekjen e përshpejtuar për të shkatërruar ISIS-in,” tha zoti Mattis.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG