Lidhje

Sekretarja Klinton dënon “sulmin e pa justifikuar” kundër ambasadorit amerikan në Siri nga turma pro regjimit


Sekretarja Klinton dënon “sulmin e pa justifikuar” kundër ambasadorit amerikan në Siri nga turma pro regjimit
Sekretarja Klinton dënon “sulmin e pa justifikuar” kundër ambasadorit amerikan në Siri nga turma pro regjimit

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton dënoi “sulmin e pa justifikuar”, siç u shpreh ajo, kundër ambasadorit amerikan në Siri nga turma pro regjimit, ndërkohë që ai po takohej me figura të opozitës në Damask. Siria fajëson Shtetet e Bashkuara për dhunën gjatë trazirave anti qeveritare.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Sirisë kanë marrë një kthesë të re, ndërkohë që qeveria e Presidentit Bashar al-Asad akuzon Uashingtonin se ka nxitur grupet e armatosura të ushtrojnë dhunë, ndërs turmat pro regjimit kanë sulmuar ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Robert Ford.

Një grup prej 100 sirianësh të irituar qëlluan diplomatin amerikan dhe ndihmësit e tij me domate dhe hedhurina dje kur ata mbërritën për një takim në qendër të Damaskut me udhëheqësin e opozitës Hasan Abdelazim.

I dërguari amerikan u strehua për të mbrojtur në zyrën e politikanit sirian, ndërkohë që turma pro regjimit qëllonin derën dhe më pas dëmtoi rëndë makinat e ambasadës amerikane që u dërguan në vendin e ngjarjes.

Policia siriane thuhet se mbërriti pas më shumë se një ore vonese dhe e shoqëroi ambasadorin Ford dhe kolegët e tij, të gjithë të pa prekur, në ambasadë.

Ky ishte incidenti i dytë i këtij lloji në më pak se tri muaj, pas një sulmi të turmës në misionin amerikan në muajin korrik, i cili solli një përgjigje të ashpër nga administrata Obama.

Në një konferencë shtypi me ministrin e Jashtëm të Nigerisë, Olugbenga Ashiru, sekretarja Klinton dënoi atë që ajo e quajti përpjekje “krejtësisht të pa justifikuar” për të kërcënuar diplomatët amerikanë me dhunë.

"Ky sulm i pa justifikuar është qartë pjesë e fushatës së vazhdueshme për kërcënimin jo vetëm të diplomatëve amerikanë, por edhe të diplomatëve nga vende të tjera, të vëzhguesve të huaj, të cilët kanë ngritur pyetje për atë që po ndodh në Siri. Kjo pasqyron mungesën e tolerancës nga ana e regjimit dhe e mbështetësve të tij dhe është thellësisht indinjuese”.

Administrata Obama u ka rrezistuar thirrjeve të Kongresit për të tërhequr ambasadorin Ford në shenjë proteste ndaj goditjes siriane kundër demostruesve që sipas zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara për të drejat e njeriut ka lënë më shumë se 2700 të vrarë që nga muaji mars.

Zyrtarët amerikanë thonë se në mungesë të medias ndërkombëtare dhe vëzhguesve të të drejtave të njeriut në Siri, ambasadori Ford ka vënë veten në rrezik për të ndjekur ngjarjet dhe për të mbajtur kontakte me opozitës siriane.

Sekretarja Klinton e quajti diplomatin veteran amerikan “mbrojtës të domosdoshëm” për aspiratat e një populli “nën rrethimin” e qeverisë Asad dhe i bëri thirrje Senatit të konfirmojë zotin Ford, i cili ndodhet në Siri, i dërguar më shërbim të përkohëshëm nga Shtëpia e Bardhë.

Sulmi ndaj ambasadorit Ford përkoi me akuzat e reja të Sirisë se Shtetet e Bashkuara kanë nxitur grupet e armatosura të ushtrojnë dhunë ndaj forcave të sigurimit.

Ministria e Jashtme e Sirisë vuri në shënjestër zëvendës zëdhënësin e Departamentit të Shtetit Mark Tones se tha në fillim të kësaj jave se incidentet e rrezistencës me dhunë ishin “për fat të keq, një zhvillim i natyrshëm” përballë “brutalitetit” të regjimit”.

Toner u tha gazetarëve dje se akuzat e Sirisë janë një përpjekje e qeverisë së Damaskut për të shmangur përgjegjësinë.

"Kjo është një përpjekje tjetër e qeverisë siriane për t’i konfrontuar me ne, kur në fakt është një përballje e qeverisë siriane me popullin e vet. Kjo në fakt ka të bëjë me kurajon dhe vendosmërinë e popullit sirian që vazhdon të qendrojë në këmbë çdo ditë për të shprehur të drejta e tij universale, përballë brutalitetit dhe dhunës qeveritare”.

Lajmet bëjnë të ditur se dezertorë nga forcat siriane të sigurimit dhe forcave të tjera të armatosura kanë ndërmarrë sulme kundër njësive të ushtrisë për të shtypur protestuesit në zonat e thella të vendit.

Megjithatë, Toner tha se pjesa më e madhe e kundërshtarëve të qeverisë së Asadit duket se janë të angazhuar për rrezistencë pa dhunë dhe kundërshtojnë thirrjet për ndërhyrje ushtarake nga jashtë të stilit libian në Siri.

XS
SM
MD
LG