Lidhje

Pompeo dëshmon në Senat për marrëdhënien me Rusinë


Ndërsa dëshmon sot përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo, pritet të diskutojë për marrëdhënien SHBA – Rusi, si dhe për takimin e javës së kaluar mes Presidentit Donald Trump dhe Presidentit rus Vladimir Putin.

Zoti Pompeo mbrojti një ditë më parë bisedimet në Helsinki, duke i karakterizuar si “jashtëzakonisht të rëndësishme” dhe duke shtuar se mendon që bota do të përfitojë prej tyre.

Gjatë samitit, Presidenti Trump u duk se mbështeti mohimin e bërë nga Putini të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, si dhe vuri shenjën e barazimit mes qëndrimeve të Putinit dhe konkluzioneve të shërbimeve amerikane të zbulimit. Zoti Putin u shpreh gjatë një konference për shtyp se dëshiron që të fitojë zgjedhjet zoti Trump.

Komentet e Presidentit Trump tërhoqën kritika të forta dhe pasi u kthye në Uashington ai deklaroi se i mbështet zyrtarët e tij të zbulimit dhe konkluzionet e tyre, duke e gërshetuar shpesh me qëndrimin e tij të mirënjohur se fushata e tij nuk bashkëpunoi me rusët dhe se ndërhyrja ruse nuk pati ndikim tek rezultati i zgjedhjeve. Megjithatë, deri në fund të javës, ai fajësoi ish-Presidentin Barack Obama se nuk ndaloi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, por megjithatë vazhdoi dhe e quajti “të gjithin një rreng të madh”. (https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1021158915206152193 )

Një anketim i ri i Universitetit Quinnipiac thotë se 51% e amerikanëve (përkundër 35%) besojnë se “qeveria ruse posedon material kompromentues për Presidentin Trump”. Anketimi tregon gjithashtu se 52% e amerikanëve (përkundër 27%) besojnë se samiti ishte një dështim për Shtetet e Bashkuara. Po kështu, 73% e të pyeturve (përkundër 8%) besojnë se samiti ishte një sukses për Rusinë.

Zyrtarë të lartë të shërbimeve amerikane të zbulimit thonë se Rusia po përpiqet sërish të ndërhyjë në procesin elektoral amerikan për zgjedhjet e nëntorit, megjithëse zyrtarët e administratës Trump janë zotuar se do të përpiqen ta ndalin. Sipas anketimit të Universitetit Quinnipiac, 63% e votuesve janë “shumë të shqetësuar” ose “disi të shqetësuar” për ndërhyrjen e Rusisë gjatë votimeve që po afrojnë.

Presidenti Trump deklaroi të martën se Rusia “do të punojë shumë fort në favor të demokratëve” dhe kundër kandidatëve të tij të preferuar republikanë gjatë zgjedhjeve të mesmandatit në muajin nëntor.

Ai u shpreh gjithashtu në Twitter se “është shumë i shqetësuar që Rusia do të luftojë shumë fort për të patur një ndikim në zgjedhjet që vijnë”.

Zoti Trump pretendoi se “bazuar në faktin që asnjë President nuk ka qenë më i ashpër se unë ndaj Rusisë, ata do të punojnë fort në favor të demokratëve. Është e qartë se nuk duan Trumpin!”. (https://twitter.com/realDonaldTrump/status/1021784726217142273 )

Pretendimi i Presidentit Trump se Moska do të favorizonte demokratët në zgjedhjet e 6 nëntorit, gjatë të cilave rizgjidhen të gjithë 435 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 1/3-ta e Senatit, është në kundërshtim me konkluzionet e komunitetit amerikan të zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës për të ndihmuar në rrugëtimin e zotit Trump drejt Shtëpisë së Bardhë.

Republikanët kanë tashmë maxhorancën në të dyja dhomat e Kongresit, por analistët thonë se demokratët mund të marrin kontrollin e njërës, apo e të dyja dhomave (më shumë gjasa ka të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve). Demokratëve u duhet të fitojnë dy vende për të marrë maxhorancën në Senat, si dhe 23 vende për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, kur të marrë detyrën Kongresi i ri në muajin janar.

Edhe me kontrollin që kanë tashmë, republikanët po e kanë të vështirë të miratojnë axhendën legjislative të Presidentit Trump dhe gjasat janë që do t’iu shtohen vështirësitë nëse demokratët do të fitonin kontrollin e njërës apo të dyja dhomave të Kongresit. Nëse demokratët fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, kundërshtarët e zotit Trump mund të fillojnë hetime të shumta ndaj administratës së tij, si dhe procesin e shkarkimit të tij nga posti.

Prokurori i posaçëm Robert Mueller po vazhdon hetimin e tij penal për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e 2016-ës, duke hetuar nëse fushata Trump bashkëveproi me Moskën. Rishtazi, zoti Mueller paraqiti akuza për 12 zyrtarë rusë të shërbimeve ushtarake të zbulimit për të ndërhyrë në materialet kompjuterike të operativëve demokratë që mbështesnin rivalen Hillary Clinton.

XS
SM
MD
LG