Lidhje

Përpjekje për forcim uniteti mes republikanëve në Senat


Në një kohë kur unitetit i republikanëve është më kritik se kurrë për të shpëtuar axhendën legjislative të presidentit Donald Trump, partia po përçahet rreth mënyrës së qeverisjes së Presidenitit Trump dhe aftësisë së tij për të qeverisur. Republikanët në senat po përpiqen të riorganizohen pasi dy senatorë republikan njoftuan se nuk do të hyjnë në garë për t’u rizgjedhur, duke bërë kritika të ashpra ndaj presidentit. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, shumë republikanë të tjerë vazhdojnë ta mbështesin Presidentin Trump.

"Unë ngrihem sot për të thënë mjaft."

Në njoftimin e tij për të hequr dorë nga gara për një mandaj tjetër, senator Jeff Flake foli për mënyrën se si funksionon Uashingtoni.

"Unë thjesht nuk mund të vazhdoj me këtë lloj politike."

Për veprimet e Presidentit Trump ai tha:

"Postimet në Twittter dhe sjelljet e tij nuk i shkojnë një presidenti dhe janë të ulta për zyrën e presidentit".

Një tjetër senator republikan, i cili gjithashtu ka hequr dorë nga gara për një mandat tjetër, e ka kritikuar ashpër Presidentin Trump.

"Unë mendoj se mostregimi i së vërtetës në mënyrë të vazhdueshme, kritikat me emër ndaj individëve të ndryshëm, përulja e vendit tonë, do të jenë gjërat për të cilat ai (Trump) do të mbahet mend më së shumti", thotë senatori Bob Corker nga Tenesi.

Presidenti hodhi poshtë kritikat në Twitter, duke thënë se Flake dhe Corker vendosën të dilnin në pension në vend që të përballeshin me humbje të mundshme në përpjekjet për t’u rizgjedhur. Presidenti Trump gjithashtu mbrojti veprimet e tij si president.

"Shtypi më bën të dukem më i egër. Njerëzit nuk e kuptojnë këtë".

Analistët politikë shohin një ndarje në rritje mes republikanëve tradicionalë dhe bazës gjithnjë e më populiste të partisë.

"Ka një ndarje të thellë në Partinë Republikane, që po thellohet gjithnjë e më shumë. Kjo është e paprecedent, të paktën që nga grahmat e vdekjes së ish presidentit Richard Nixon, në ditët e tij të fundit si president në gusht të vitit 1974", thotë Larry Sabato nga Universiteti i Virxhinias.

Në Kongres, shumë republikanë vazhdojnë të mbështesin presidentin, duke thënë se rezultatet, jo stili, kanë më shumë rëndësi.

"Nëse pajtoheni me politikën e tij tatimore, për shfuqizimin e kujdesit shëndetësor, siç kam bërë unë, a flisni për të apo kundër tij? Tani unë jam dakord me presidentin për shumë gjëra", thotë senatori republikan, Richard Shelby.

Të enjten, Kongresi miratoi një projekt-buxhet që mund t’i hapë rrugën përparësisë më të lartë legjislative të Presidentit Trump: shkurtimin e taksave. Me një shumicë të vogël prej dy senatorësh, republikanët po e theksojnë unitetin.

"Nëse ekziston një gjë që i bashkon republikanët, është reforma e taksave. Dhe ne do të përqendrohemi në axhendën tonë e jo në këto shqetësime të tjera", tha udhëheqësi i shumicës në senat, Mitch McConnell.

Por, duke bërë njoftimet për të hequr dorë nga kandidimi për një mandat tjetër, Flake dhe Corker, kundërshtarë të fortë të deficitit buxhetor, tani janë më të lirë se kurrë për të votuar ashtu siç duan.

"Unë jam shumë i shqetësuar për borxhin dhe deficitin, kështu që ne do të duhet të analizojmë reformën e taksave për të parë se çfarë bën".

Flake dhe Corker do të vazhdojnë të shërbejnë dhe të votojnë deri në fund të vitit të ardhshëm.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG