Pasiguria ka ngërthyer diskutimet një javore në Senatin amerikan mbi reformën e emigracionit, që mund të kulmojnë me një votim më vonë gjatë ditës së enjte, mbi propozimet e ndryshme të palëve për këtë çështje.
Ndërsa Senati filloi debatin, administrata Trump la të kuptohej se kishte kundërshtime të forta ndaj një propozimi dypalësh mbi imigracionin, që konsiderohej si shansi më i mirë i kësaj dhome të Kongresit, për të miratuar një projektligj.
Të mërkurën vonë, 16 senatorë bënë të ditur projekt-ligjin e arritur me kompromis. Propozimi ofronte një rrugë për marrjen e shtetësisë për emigrantët pa dokumenta të cilët janë sjellë në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë, rritje të fondeve të sigurisë kufitare me 25 miliardë dollarë, përqëndrim të përpjekjeve për zbatimin e ligjit të emigracionit tek kriminelët, tek kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare dhe atyre që do të hyjnë në mënyrë të paligjshme në SHBA pas fundit të qershorit.
Më herët gjatë ditës së enjte, Departamenti i Sigurisë Kombëtare e kritikoi atë çfarë sygjerohet në propozimin dypalësh duke thënë se "kjo do të shërbente vetëm për të tërhequr miliona të huaj të paligjshëm, pa asnjë mundësi largimi".
Deklarata e Departamentit të Sigurisë Kombëtare nxiti një reagim të ashpër të senatorit republikan të Karolinës së Jugut, Lindsey Graham i cili e mbështet variantin për të cilin palët kanë rënë dakort.
"Duket sikur Departamenti i Sigurisë Kombëtare synon të veprojë më shumë si kundështar se sa si bashkëpunëtor", tha zoti Graham nëpërmjet një deklarate. "Në vend që të ofrojnë mendime dhe këshilla, madje edhe kritika konstruktive, ata veprojnë më shumë si një organizatë politike që synon dëmtimin e procesit", tha ai.
Presidenti Donald Trump mbështet reformat gjithëpërfshirëse që do të kufizonin sistemin aktual të imigracionit të bazuar tek lidhjet familjare, duke i dhënë përparësi emigrantëve të kualifikuar.
Axhenda e emigracionit e zoti Trump është përfshirë në propozimin e ligjvënësve republikanë që u paraqit këtë javë. Senatorët demokratë u kundërpërgjigjën me një variant që kombinon ndihmën për imigrantët e rinj me përmirësime të kufizuara të sigurisë në kufi.
Por asnjë prej këtyre projekligjeve partiake, nuk pritet të marrë mbështetjen e tre të pestave që kërkohen për t’u miratuar në Senat. Republikanët konservatorë u bashkuan me administratën Trump duke e kundërshtuar propozimin dypalësh të cilin e quajtën “praktikisht një amnisti” për miliona emigrantë pa dokumente që ndodhen aktualisht në Shtetet e Bashkuara dhe të gjithë të tjerët që mund të vijnë në muajt e ardhshëm.
"Gara ka nisur" tha senatori i Oklahomës James Lankford. "Nëse hyni në vend deri më 30 qershor të këtij viti, gëzoni amnisti. Kjo mbulon çdo individ, që ndodhet në vend në mënyrë të paligjshme", tha ai.
Ndërkohë demokratët e akuzuan zotin Trump se po pengon rrugën për një zgjidhje kompromisi mbi këtë çështje.
"Presidenti Trump ka penguar çdo propozim që ka patur mundësinë për t’u bërë ligj", tha udhëheqësi i pakicës Chuck Schumer. "Tashmë presidenti duket i etur ta kundërshtojë kompromisin dypalësh, potencialisht me një veto. Pse? Për shkak se nuk është 100 për qind me atë që ai dëshiron lidhur me imigracionin".
Zoti Schumer shtoi se: "kjo nuk është mënyra se si funksionon demokracia. Ju nuk merrni 100 për qind të asaj që doni në një demokraci, ndoshta kjo ndodh me diktaturat".
Udhëheqësi i shumicës Mitch McConnell, solli në vëmendje qasjen e presidentit për ndryshime të mëdha në ligjin e imigracionit.
"Çështja e DACA-s është vetëm një simptomë e sistemit tonë të shkatërruar të imigracionit", tha zoti McConnell. "Kështu që presidenti e ka bërë të qartë dhe pajtohem fuqishëm me të, se çdo legjislacion duhet të trajtojë shkaqet në rrënjë dhe të reformojë imigracionin e ligjshëm. Gjithashtu duhet të përfshijë edhe hapa të mjaftueshëm për të garantuar sigurinë e popullit amerikan", tha ai.
Vitin e kaluar, presidenti Trump e anuloi programin DACA, një politikë e administratës së presidentit Obamës që i lejonte emigrantët e rinj pa dokumente për të punuar dhe studiuar në Shtetet e Bashkuara. Zoti Trump u dha ligjvënësve gjashtë muaj kohë për t’i dhënë kësaj çështjeje një zgjidhje të përhershme ligjore.
Vendimi i zoti Trump i jep fund përfitimeve nga programi DACA duke filluar nga 5 marsi. Ndërsa dy gjykata kanë marrë vendim për të zgjatur afatin, përfituesit e DACA-s ka të ngjarë të jenë në rrezik dëbimi, nëse Kongresi nuk vepron.
Facebook Forum