Lidhje

Senatorë republikanë, thirrje Sekretarit të Shetit për masa ndaj Kubës


Pesë senatorë republikanë i kanë bërë thirrje sekretarit të shtetit Rex Tillerson që ta ndëshkojë Kubën pas lëndimeve në rrethana misterioze të diplomatëve amerikanë të vendosur në këtë vend.

Ata kërkojnë që zoti Tillerson të dëbojë diplomatët kubanë të akredituar në Shtetet e Bashkuara, nëse Kuba nuk merr masa të shpejta për të garantuar sigurinë e personelit amerikan atje, si dhe të mbyllë ambasadën amerikane në Havanë.

Letra e senatorëve vjen pas një raporti të “Associated Press” që shqyrtoi "sulmet ndaj shëndetit" kundër diplomatëve amerikanë në Kubë që u shkaktoi të paktën 21 personave probleme të dëgjimit dhe në të folur. Ngjarja po hetohet nga Departamenti i Shtetit, FBI-ja dhe agjencitë amerikane të zbulimit.

Letra u nënshkrua nga senatorët Tom Cotton, Richard Burr, John Cornyn, Marco Rubio dhe James Lankford.

Presidenti kuban Raul Castro në një koment të tij më herët gjatë këtij viti mohoi përgjëgjësinë e qeverisë së tij lidhur me këtë ngjarje. Komentet ai i bëri pasi Shtetet e Bashkuara kërkuan përgjigje lidhur me lëndimin e diplomatëve amerikanë në Havanë.

Zyrtarët e SHBA-së thanë se presidenti Kastro i kërkoi diplomatit më të lartë amerikan në Havanë një bisedë ballë për ballë, çfarë konsiderohet diçka e rrallë. Zyrtarët thanë gjithashtu se nuk ishin të autorizuar për të diskutuar publikisht mbi takimin dhe folën në kushtet e anonimitetit.

Reagimi i zotit Kastro i habiti zyrtarët amerikanë. Ata thanë se prisnin që ai të reagonte në mbrojtje, ose të refuzonte të bashkëpunonte për të hetuar çështjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG