Lidhje

Shqipëria dhe Serbia, Odë të përbashkët ekonomike


Shqipëria dhe Serbia nënshkruan të premten marrëveshjen për themelimin e Odës së përbashkët Ekonomike, me seli në Tiranë.

Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të punimeve të Forumit të Biznesit që i zhvilloi punimet në qytetin jugor të Nishit, në të cilin morën pjesë rreth 300 ndërmarrës nga Serbia dhe Shqipëria.

Sipas të dhënave të Odës Ekonomike të Serbisë, në pjesën e parë të vitit 2016 shkëmbimi tregtar ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë ka arritur në 77.8 milionë euro.

Takimi i Forumit u hap nga kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri serb tha se është rritur besimi ndërmjet dy popujve, ndërsa tash radhën e ka forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe rritja e shkëmbimit tregtar ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.

“Është shumë e rëndësishme që të sillemi në mënyrë racionale”, tha ai duke shtuar se “pavarësisht nga dallimet politike, kemi ndërtuar besim, meqë konsideroj se dëshirojmë miqësi”.

Kryeministri serb tha se të dyja vendet i lidhë edhe përcaktimi për integrim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri shqiptar Edi Rama rikujtoi ngjarjet e 14 tetorit të vitit 2014, kur një ndeshje futbolli ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë që po luhej në Beograd, u ndërpre për shkak të incidenteve të dhunshme që shtuan tensionet politike në rajon.

Ai tha se "të gjithë e mbajnë mend mirë atë atmosferë, dhe kush prej nesh do të mund ta paramendonte takimin e sotëm".

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë kanë shënuar përparim që pas vizitës së parë të kryeministrit Rama në Beograd dy vjet më parë, që shënoi edhe vizitën e parë të atij niveli pas gati 70 vjetësh.

Megjithatë, çështja e Kosovës mbetet problemi kryesor në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Tiranës.

Kryeministri Rama tha të enjten në Beograd se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, ndërsa shprehu mbështetjen për procesin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Në fillim të vizitës së tij dyditëshe ai tha se pavarësisht nga qëndrimet e vendeve të rajonit kundruall perëndimit dhe lindjes, proceset e integrimeve evropiane janë rruga e vetme e modernizimit të shoqërive në rajon. Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia synon integrimet evropiane por edhe ruajtjen e marrëdhënieve me Rusinë.

XS
SM
MD
LG