Lidhje

Mijëra veta në protestat antiqeveritare në Serbi


Mijëra protestues antiqeveritar u mblodhën të shtunën në Beograd për të demonstruar kundër dhunës politike ndërsa kërkuan edhe dorëheqjen ministrit të Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç.

Turma parakaloi para institucioneve më të rëndësishme, përfshirë edhe parlamentin, ndërtesën e qeverisë por edhe atë të televizionit publik serb, duke fishkëllyer dhe me parulla kundër qeverisë dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Protesta me sloganin "Një nga pesë milionë", që filloi katër javë më parë me moton “stop këmishëve të përgjakura”, ishte e katërta me radhë që kur ndodhi një sulm mbi Borislav Strefanoviçin, udhëheqës i partisë së vogël E Majta serbe.

Ai ishte sulmuar nga një grup burrash me maska të zeza më 23 nëntor në Krushevc, një qytet në jug të Serbisë dhe kishte pësuar plagë të lehta.

Kërkesa për shkarkimin e ministrit të Brendshëm pasoi pohimet e tij se në protestën e 22 dhjetorit kishin marrë pjesë 5 mijë veta, ndërsa organizatorët thonë se në të morën pjesë 35 mijë deri në 40 mijë protestues.

Veprimtarët e opozitës thonë se presidenti Vuçiç është një autokrat dhe e cilësojnë partinë e tij të korruptuar. Ata thonë se presidenti Vuçiç, kontrollon pjesën më të madhe të medieve në Serbi, gjë që i siguron atij përparësi të padrejtë.

Mbështetja për presidentin Vuçiç ka shënuar një rënie të vogël pas fitores së tij të thellë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, por ai mbetet udhëheqësi politik më popullor dhe koalicioni i tij në pushtet ka një shumicë të qëndrueshme prej 160 deputetësh në parlamentin me 250 vende.

Në një intervistë për Televizionin Studio B, e afërt me qeverinë, presidenti serb tha se është i gatshëm të diskutojë kërkesat e opozitës. Më herët ai kishte thënë se nuk e ka ndërmend të dëgjojë së çfarë thonë ata.

Protestat e opozitës janë të rralla në Serbi që nga trazirat popullore të vitit 2000 që rrezuan ish presidentin Slobodan Millosheviç, i cili më pas vdiq në vitin 2006 në Hagë derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Aleksndër Vuçiç, një nacionalist i zjarrtë gjatë shkatërrimit të dhunshëm të ish-Jugosllavisë në vitet e 90-ta, më vonë përqafoi vlerat evropiane dhe vendosi anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian si qëllimin strategjik të vendit. Ai gjithashtu mban lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG