Lidhje

Beogradi shpreson të fillojë negociatat për anëtarësim në BE


Kryeministri serb tha se anëtarësimi në BE është synim strategjik i Serbisë, por vendimi për hapjen e kapitujve i takon Brukselit.

Komisionari i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe politika të zgjerimit Johannes Hahn tha në Beograd se deri në fund të këtij viti mund të hapen disa nga kapitujt e negociatave për anëtarësim të Serbisë.

Bashkimi Evropian hapi rrugën e negociatave për anëtarësim të Serbisë pas marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por vendet anëtare thonë se hapja e negociatave duhet të pasojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për këtë çështje.

Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç, tha se çështja e negociatave me Brukselin është e lidhur me refuzimin e Serbisë që të lërë nën kontrollin e qeverisë së Kosovës të liqenit të Gazivodës që shtrihet përgjatë kufirit verior të Kosovës dhe Serbisë në rajonin e Zubin Potokut, një nga komunat me shumicë serbe ne veri të Kosovës. Ky liqen vlerësohet me rëndësi thelbësore për prodhimin e energjisë elektrike, meqë Termocentralet e Kosovës varen prej tij.

Unë pres fillimin e negociatave (me Brukselin) më së voni në shtator. Shpresoj edhe ne qershor dhe do të luftoj që të jenë në qershor. Por, mbase nuk do të ndodhin atëherë. Ndoshta mund të thonë – nuk bën pa Gazivodën dhe atëherë duhet te gjejnë një kryeministër tjetër”, tha kryeministri serb. Sipas tij Beogradi ka ofruar ndarjen e pronësisë 50 me 50 për qind, por Prishtina këtë nuk e ka pranuar.

Ai tha se anëtarësimi në BE është synim strategjik i Serbisë, por vendimi për hapjen e kapitujve i takon Brukselit.

Edhe presidenti serb Tomislav Nikoliç, ka shfaqur shpresën se deri në fund të vitit mund të hapen kapitujt e negociatave për anëtarësim, ndërsa ka përsëritur qëndrimin se “Beogradi nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës”.

Bisedimet me Kosovën i siguruan Serbisë negociatat për anëtarësim, ndërsa Kosovës marrëveshjen e stabilizim asocimit që pritet të nënshkruhet deri në fillim të verës për të hyrë në fuqi në fillim të vitit 2016.

XS
SM
MD
LG