Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, hodhi sërish idenë për ndarje të brendshme të Kosovës si rrugë për një kompromis që do të çonte, sipas tij, në një zgjidhje të përhershme të konfliktit serbo-shqiptar.
Në një shkrim autorial në të përditshmen e Beogradit, “Veçernje Novosti", ai thekson se "të gjithëve u duhet zgjidhja e përhershme e konfliktit serbo-shqiptar, tek e cila mund të arrihet vetëm me marrëveshjen e serbëve dhe shqiptarëve, ku secili do të fitonte dhe humbte diçka”.
Duke e cilësuar idenë e tij si ide të kompromisit historik dhe të drejtës etnike, ai thekson se për të shmangur konfliktin do të duhej të caktoheshin "kufij ndërmjet asaj që është serbe dhe shqiptare", të sigurohet trashëgimia ortodokse serbe nëpërmjet formimit të "një bashkësie të manastireve", sipas një modeli grek. Ai po ashtu thekson se edhe për serbët në pjesën jugore te Kosovës duhet të krijohet një bashkësi e komunave si dhe të bëhet sipas tij, "kompensimi financiar për pasurinë e uzurpuar shtetërore dhe private”.
Ideja e ministrit të jashtëm serb, pason nismën e aleatit të tij, presidentit aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për hapjen e një dialogu të brendshëm serbë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.
Presidenti serb është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruaj lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Më shumë se dy vjet më parë, në maj të vitit 2015, presidenti serb, atëbotë kryeministër i Serbisë, kishte paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ai kishte thënë atëbotë të përditshmes “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”. Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e kushtetutës serbe.
Ideja e ministrit të jashtëm serb, u kundërshtua nga ish ministri i jashtëm i Kosovës, Enber Hoxhaj i cili shkroi në rrjetet sociale se "Kosova është një demokraci shumetnike me kufij të njohur ndërkombëtarisht. Idetë e përtëritura serbe për ndryshim kufijsh janë të rrezikshme dhe të papranueshme".
Kosova është njohur nga 115 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.
Facebook Forum