Lidhje

Serbi: Tridhjetë ditë paraburgim për policin nga Kosova


Një gjykatë në qytetin e Nishit në Serbinë jugore i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh drejtorit rajonal të policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi.

Ai i arrestua të mërkurën në mbrëmje në vendkalimin kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Konçul, në bazë të një urdhër arresti “të lëshuar me urdhër të Gjykatës së Lartë në Nish për veprën penale të terrorizmit”.

Gjykata në Nish tha të premten mbrëma se masa e paraburgimit u vendos për shkak të “rrezikut të ikjes nga drejtësia".

Nehat Thaçi është drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës.

Policia e Kosovës nëpërmjet Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, ka kërkuar sqarim zyrtar nga pala serbe, ndërsa me çështjen është marrë edhe ministria e Jashtme e Kosovës.

Zoti Thaçi, në kohën e arrestimit, sipas policisë së Kosovës, nuk ishte në detyrë zyrtare, por po udhëtonte më një mik të tij nëpër territorin e Serbisë për në shtetet perëndimore.

Autoritetet serbe kanë mbajtur gjykime në mungesë dhe kanë lëshuar urdhër arreste në disa raste për ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë kërkuar disa herë nga policia ndërkombëtare, që të mos merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga Serbia për qytetarët e Kosovës.

Kërkesat kishin pasuar disa raste të ndalimit nëpër aeroporte të pjesëtarëve dhe ish drejtuesve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bazë të fletarrestimeve të lëshuara nga Beogradi.

XS
SM
MD
LG