Lidhje

Kosova dënon gjuhën e kryeministres serbe Ana Bërnabiç


Autoritetet në Kosovë dënuan gjuhën e përdorur nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç dhe shprehën pakënaqësinë për mosreagimin e zyrtarëve evropianë ndaj saj.

Një ditë më parë, kryeministrja serbe gjatë një takimi me shefin e delegacionit të Bashkimi Evropian, Sem Fabrizi, tha se është e shqetësuar me gjendjen në Kosovë meqë “kemi të bëjmë me njerëz nga mali”.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, reagoi duke e cilësuar të “pështira dhe të papranueshme” komentet e kryeministres serbe.

Në një postim në rrjetet sociale, ai shkroi se “është racizëm i institucionalizuar në Serbi, që ka brumin në ideologjinë ultranacionaliste të sëmurë që promovon qeveria e Ana Bërnabiçit. Shpresoj që Evropa sot të kuptojë se me çfarë lloj njerëzish kemi të bëjmë, me ata që kanë mbështetur vrasjet masive dhe mohojnë krimet e luftës të kryera nga Beogradi në ish-Jugosllavi”, shkroi zoti Pacolli duke nënvizuar se “sa të jem unë ministër i jashtëm i Republikës së Kosovës, nuk do të lejojë që kryeministrja serbe të hyjë në Kosovë, për sa kohë që ajo të ndjek një ideologji raciste dhe të sëmurë kundër popullit të Kosovës dhe ndërmjet etnive që jetojnë këtu”.

Të enjten, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cilësoi raciste komentet e zonjë Bërnabiç, ndërsa shprehu zhgënjimin që nuk pati një reagim nga Bashkimi Evropian derisa “favoritja e tij në procesin e zgjerimit përdorë një gjuhë të tillë ndaj Kosovës”.

Kryeministrja serbe tha të enjten gjatë një takimi me kryeministrin e Sllovakisë, Peter Pelegrini, se nuk është e shqetësuar me deklaratat e ministrit të Jashtëm të Kosovës, meqë ajo është në pajtim me politikën e Prishtinës, ndërsa lidhur me deklaratën e saj që nxiti reagime në Kosovë tha se “ata njerëz kanë dalë prej malit, sepse kanë dalë prej malit. Ata kanë qenë me uniforma në mal. Drejt nga mali janë bërë pjesë e elitës politike në Prishtinë dhe kanë nisur të udhëheqin institucione. Do të doja që të vinin nga sektori joqeveritar, por jo. Dhe, nuk mendoj se të gjithë kanë dalë nga mali. Behxhet Pacolli nuk ka dalë nga mali dhe më çudit që e ka gjetur veten në atë mes", tha ajo.

Tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit u shtuan pas operacionit të së martës të policisë së Kosovës për arrestimin e 19 zyrtarëve policor nën dyshimet për përfshirje në krim të organizuar dhe kontrabandë.

Ndonëse në mesin e të arrestuarve ka edhe shqiptarë e boshnjakë,Beogradi tha se operacioni ishte i drejtuar kundër komunitetit serb dhe kishte për qëllim frikësimin e tij.

Prishtina tha se operacioni ishte drejtuar kundër personave të përfshirë në veprimtari kriminale dhe i bëri thirrje Beogradit të mos e politizojë atë dhe të mos vihet në krah të keqbërësve.

XS
SM
MD
LG