Lidhje

Aleksandër Vuçiç betohet të qëndrojë mes lindjes e perëndimit


Një ditë pasi formalisht dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dha të mërkurën betimin në postin e presidentit duke u zotuar për të punuar për paqen e qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa po punon për fuqizimin e forcave të armatosura të Serbisë.

Një ish ultra nacionalist që pohon të jetë shndërruar në një reformator pro evropian, Aleksandër Vuçiç shënoi një fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën më 2 prill.

Partitë opozitare që e kanë akuzuar atë për parregullsi në zgjedhje, planifikojnë protesta të mërkurën në mbrëmje, kundër siç thuhet, sundimit autokratik të tij.

"Ne duhet ta bëjmë rajonin të tillë që dallimet të jenë përparësi dhe jo themel i përleshjeve", tha ai gjatë fjalimit përurues në parlamentin serb, gjatë të cilit ju referuar luftërave të viteve të 90-ta gjatë cilave ai kishte luajtur një rol aktiv si mbështetës i idesë së zgjerimit të kufijve të Serbisë.

Aleksandër Vuçiç ishte pjesë e Partisë Radikale Serbë të drejtuar nga ultra nacionalisti Vojislav Sheshel.

"Derisa bisedojmë me të gjithë, në po ashtu duhet të forcojmë mundësitë tona mbrojtëse", tha ai, duke theksuar qëndrimin se "Serbia nuk do t'i bashkohet NATO-s apo ndonjë aleance tjetër ushtarake.

"Betohem se të gjitha fuqitë e mia do t'ia kushtoj ruajtjes së sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë, përfshirë edhe Kosovën si pjesë përbërëse të saj...", tha ai gjatë betimit.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të viti 2008 por është përfshirë në një proces normalizimi në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Si kryeministër ai ishte përsëritur se anëtarësimi në BE është synim strategjik i Serbisë. Në të njëjtën kohë ai ka forcuar lidhjet më aleatin tradicional, Rusinë, e cila do të furnizojë Beogradin me avionë ushtarak dhe tanke, duke nxitur shtim tensionesh në Ballkan.

Ai shkurtimisht përmendi sot integrimet evropiane duke theksuar se "askush nuk duhet të dyshojë në rrugën evropiane të Serbisë".

AI tha se Serbia do të ruajë lidhjet me Rusinë e Kinën, por njëkohësisht do të përmirësojë lidhjet me Shtetet e Bashkuara.

Duke folur para mbështetësve të tij të mbledhur para parlamentit, ai u zotua për "ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë dhe të së ardhmes së fëmijëve tanë".

Posti i presidentit është më shumë ceremonial në Serbi, por të mërkurën ai la të kuptohet se synon të luaj rolin udhëheqës në politikën serbe. Aleksandër Vuçiç, pasoi në këtë post ish shefin e tij Tomislav Nikoliç, i njohur për qëndrimet e tij pro ruse.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG