Lidhje

Dita e dytë e trazirave në Serbi


Policia hodhi gaz lotsjellës të mërkurën në Beograd për të shpërndarë demonstruesit që po protestojnë kundër trajtimit të pandemisë së COVID-19-tës nga presidenti serb.

Disa persona janë plagosur gjatë përleshjeve të mërkurën para parlamentit serb, përfshirë edhe disa nga udhëheqësit e opozitës.

Përleshjet e sotme pasuan trazirat e një nate me parë që pasuan paralajmërimet për rivendosjen e masave kufizuese të lëvizjes gjatë fundjavës për shkak të përkeqësimit të situatës me pandeminë. Grupe të të drejtave të njeriut denoncuan brutalitetin e policisë, ndërsa autoritetet thanë së policia veproi vetëm kur ishte e domosdoshme.

Përleshje të mërkurën pati edhe në Novi Sad ndërsa protesta edhe në Nish e Kragujevc.

Më herët gjatë ditës presidenti i Serbisë u tërhoq nga vendimi i tij, për rivendosjen e ndalimit të lëvizjes në kryeqytet gjatë fundjavës.

Në një konferencë me gazetarë ai tha se se shërbime të fshehta të huaja qëndruan pas protestës të martën ndërsa protestuesit i cilësoi si "mbështetës të krahut të djathtë dhe profashist". Ai nuk i identifikoi shërbimet sekrete të huaja, të pretenduara, por sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që trazirat të jenë përpjekje për të dobësuar pozicionin e Serbisë në prag të rifillimit të bisedimeve me Kosovën.

“Nuk do të lejojmë kurrë destabilizimin e Serbisë qoftë nga brenda apo nga jashtë “, tha ai, duke shtuar se protesta “nuk ka të bëjë më koronavirusin”.

Në muajin mars Serbia ishte ndër vendet me masat më të ashpra kufizuese në përpjekje për të penguar përhapjen e infektimeve. Por në muajin maj ajo u rihap edhe për shkak të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 21 qershorit në të cilat Partia Përparimtare e presidentit serb doli fituese me mbi 60 për qind të votave.

Partitë opozitare, një pjesë e të cilave bojkotuan zgjedhjet kritikuan presidentin serb se po e përdorë situatën me pandeminë për të forcuar atë që ata e quajnë sundim autokratik, por ai i hodhi poshtë pohimet e tilla.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG