Lidhje

Serbia synon BE-në ndërsa furnizohet me armët ruse


Avioni rus MiG29 (pamje arkivi)

Kryeministri i Serbisë, Aleaksandër Vuçiç, tha në Moskë se vendi i tij kërkon bashkëpunim më të ngushtë ushtarak me Moskën, ndërsa vuri theksin tek neutraliteti i Beogradit, në një përpjekje për të vëne drejtpeshim ndërmjet marrëdhënieve historike me Rusinë dhe synimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pa u mbushur dhjetë ditë nga vizita e ministrit rus të punëve të Jashtme Sergey Lavrov në Beograd, kryeministrit serb inspektoi gjashtë avionë ushtarak MiG-29 në Moskë, të cilat do t'i marrë nga Rusia bashkë me 30 tanke të tipit T-72 dhe 30 autoblinda që ishin pjesë e rezervave ruse, të cilat i janë dhënë Serbisë në një veprim që shihet si forcim i ndikimit të Moskës në Ballkan.

Pas një takimi me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoigu, kryeministri serb tha se Beogradi do të shpenzojë ndërmjet 180 dhe 230 milionë euro për të modernizuar avionët MIG-29, për të cilat do të duhej të paguante mbi 600 milionë euro në treg. Vuçiç po ashtu ka hapur negociatat me Rusinë për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore.

Ministri rus propozoi një ushtrim ushtarak trepalësh ndërmjet Rusisë, Serbisë e Bjellorusisë "për të thelluar vëllazërinë sllave", thuhet në një deklaratë të qeverisë serbe.

Forcat ushtarake serbe janë të mbështetura pothuajse 80 për qind në teknologji sovjetike, një trashëgimi nga Armata Popullore Jugosllave dhe planifikojnë të blejnë pajisje nga të dyja palët, Rusia dhe Bashkimi Evropian për të përmirësuar forcat e saj ajrore të varfëruara nga luftërat ballkanike të viteve 1990.

"Vuçiç ka nënvizuar qëndrimin e paanshëm të Serbisë dhe ka shfaqur shpresën se bashkëpunimi politik, ekonomik e ushtarak ndërmjet të dyja vendeve do të përmirësohet", thuhet në komunikatën e qeverisë serbe.

Marrëveshja me Serbinë u bë në një kohë kur Rusia ka shtuar përpjekjet për të penguar afrimin e mëtejshëm të Ballkanit me perëndimin dhe në një periudhë të shtimit të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.

Serbia një aleate tradicionale e Rusisë synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Aleate e Beogradit, Moska nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa kundërshton fuqishëm anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO dhe është thellësisht e pakënaqur që Mali i Zi tashmë ka marrë ftesën për anëtarësim në aleancë.

“Pa Rusinë është e pamundur të mbrojmë tërësinë tonë tokësore dhe sovranitetin, Kur flasim për marrëdhëniet me Rusinë, flasim edhe për të ardhmen tonë. Serbia kurrë nuk do të jetë shtet anti-rus siç janë bërë disa vende. Ne nuk do t'u bashkohemi sanksioneve dhe masave kufizuese. Nuk kemi qëllim të bëhemi anëtar i NATO-s", tha ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç gjatë vizitës së ministrit rus Lavrov në Beograd dhjetë ditë më parë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG