Lidhje

Vuçiç: Bisedimet ndryshuan jetën e serbëve në Kosovë


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se në muajin tetor do të fillojë periudha e re e dialogut brenda serb për çështjen e Kosovës, sepse në varësi të marrëdhënieve me të Serbia do të ketë një të ardhme më të sigurt.

Ai i bëri këto komente të martën mbrëma në Beograd gjatë së cilës tha se ka mbështetur Listën serbe, subjektin kryesor politik të serbëve të Kosovës që të bëhet pjesë e qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj. Por, ai tha se nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj zotit Haradinaj, të cilin Beogradi e akuzon për krime lufte.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i kaloi katër muaj në Francë të fillim të këtij viti i ndaluar nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Beogradi.

Ai tha se Serbia deri tash për çështjen e Kosovës ka folur vetëm atë çfarë do, që nuk do të njohë pavarësinë e saj, por nuk ka kishte politikë për të.

"Nga tetori fillon periudha e re e dialogut që duhet të jetë i institucionalizuar dhe të ketë këshillime të gjëra", tha ai, duke paralajmëruar publikimin e një raporti mbi bisedimet me Kosovën ku do të përfshihen rezultatet e tri viteve të fundit si dhe të gjitha veprimet që i ka bërë Serbia rreth çështjes së Kosovës që nga viti 1998.

"Kur të kaloni nëpër të, do të mund të shihni se sa e ndërlikuar është historia jonë bashkëkohore, sa gabime ka aty", tha ai.

Ai tha se qasja e Serbisë ka bërë që gjërat të ndryshojnë për komunitetin serb në Kosovë.

“Nuk kemi asnjë të vdekur në përleshje etnike. Serbinë nuk e kam përulur kurrë. Kam siguruar që serbët në Kosovë të jetojnë diç më mirë dhe në këto katër vjet nuk kemi asnjë të vdekur në përleshje etnike", tha ai.

Sipas tij, për herë të parë "nuk ka rënie dramatike të numrit të serbëve në Kosovë" dhe se eksitojnë regjistrimet që dëshmojnë se sa është zvogëluar numri i sulmeve të motivuara etnikisht që nga viti 2012.

“Sulme, vrasje ka pasur me parë, por jo tani. Jam krenar për politiken që ruan qytetarët në Kosovë. A do të ketë sulme - po, por do të jenë më pak. Njerëzit në Serbi këtë duhet ta dinë", tha ai, duke i cilësuar të rënda bisedimet me Kosovën të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se Serbia sot ka një pozicion tjetër negociatash.

"Sot zëri i Serbisë dëgjohet. Kemi kaluara nëpër situatën në të cilën i kemi dhënë legalitet pavarësisë (së Kosovës) nëpërmjet pyetjes kriminale që e kemi shtruar në vitin 2009 në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, të cilën e ka parashtruar Vuk Jeremiç, (ish ministri i jashtëm serb), se a kanë guxuar të ndahen. Përgjigja ishte katastrofale për neve", tha ai duke ju referuar opinionit të GJND-së sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Në muajin korrik presidenti serb paralajmëroi hapjen e një dialogu të brendshëm serbë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Ai është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruaj lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Më shumë se dy vjet më parë, në maj të vitit 2015, presidenti serb, atëbotë kryeministër i Serbisë, kishte paralajmëruar një ndryshim të mundshëm të qasjes ndaj Kosovës, që është kushti themelor në përpjekjet e Beogradit për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ai kishte thënë atëbotë të përditshmes “The Wall Street Journal”, se është “duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimeve kushtetuese deri në fund të vitit 2017, ku do të mund të përfshihej heqja e përkufizimit të Kosovës si pjesë e Serbisë”. Aktualisht Kosova zë vend në preambulën e kushtetutës serbe.

Në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht, presidenti serb Vuçiç dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u pajtuan për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike.

Të dy presidentët thanë se takimet e bisedimet do të zhvillohen në javët e muajt në vazhdim, përfshirë edhe mundësinë që takime të ketë edhe gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që i zhvillon punimet gjatë këtij muaji.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG