Lidhje

Aleksandër Vucic - kandidat për president të Serbisë


Partia Përparimtare Serbe vendosi të martën që kryetari i saj, Aleksandër Vuçiç, aktualisht kryeministër i Serbisë, të jetë kandidati i kësaj partie për zgjedhjet presidenciale serbe që do të mbahen në muajin prill.

Vendimi pasoi vlerësimet se ai është kandidati i vetëm i kësaj partie që mund të fitojë zgjedhjet që në raundin e parë të votimeve dhe shqetësimet se një gjë e tillë do të ishte e vështirë me presidentin aktual serb Tomislav Nikoliç, nga radhët e të njëjtës parti, i cili kërkon lidhje më të ngushta të Beogradit me Rusinë.

Vëzhguesit në Serbi thonë se zgjedhjet presidenciale do të jenë një sprovë për kryeministrin aktual dhe orientimin e tij drejt integrimeve evropiane.

Ndonëse roli i presidentit është kryesisht ceremonial, nëse ai kontrollon shumicën parlamentare atëherë ai mund të ushtrojë ndikim në madh mbi qeverinë dhe kryeministrin e ardhshëm.

Aleksandër Vuçiç tha se do të qëndrojë në postin e kryeministrit deri në shpalljen e datës së zgjedhjeve, ndërsa refuzoi të flasë për trashëgimtarin e tij në këtë post.

Ai la të hapur mundësinë që krahas zgjedhjeve presidenciale të mbahen edhe zgjedhjet e reja parlamentare.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të afrimit me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG