Lidhje

Serwer: Negociatat politike Kosovë-Serbi, të nevojshme


Negociatat politike janë të rëndësishme sepse bëhet fjalë për çështjen e kufijve dhe integrimin në BE

Analisit i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer tha se ka ardhur koha që të ketë negociata politike të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se negociatat politike janë të rëndësishme sepse bëhet fjalë për çështjen e kufijve dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Zoti Serwer i bëri komentet dje gjatë një diskutimi në Institutin Amerikan të Paqes në Uashington.



Analisti i çështjeve të Ballkanit, Daniel Serwer tha se ka ardhur koha për bisedime politike të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht pas ndërprerjes së dialogut për çështjet praktike dhe kërkesës së Bashkimit Evropian për dialog të nivelit të lartë.

Në lidhje me shqetësimet e opozitës në Kosovë ndaj negociatave politike Kosovë-Serbi, zoti Serwer tha se bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës duhet të jenë politike sepse bëhet fjalë për kufijtë e saj.

“Duhet të ketë negociata politike dhe është roli i duhur i opozitës që të kritikojë dhe të kërkojë më shumë nga ky dialog dhe të ketë qartësi në lidhje me çështjen e kufijve. Nuk ka asgjë të keqe me këtë”.

Sa i përket problemit në veri të Kosovës, zoti Serwer tha se ky problem është i rëndësishëm për Serbinë sepse Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa përcaktuar kufijtë e saj. Për Prishtinën veriu është çështje e integritetit territorial të Kosovës. Ai tha se ky është një problem i vështirë i cili kërkon angazhim të nivelit të lartë nga Kosova dhe Serbia për gjetjen e një zgjidhjeje. Zoti Serwer tha se kjo çështje mund të zgjidhet me një angazhim të nivelit të lartë politikë për ri-integrimin e Mitrovicës. Sipas tij, ky angazhim duhet të vijë nga Serbia.

Zoti Serwer gjithashtu tha se nuk mund të ketë dialog të vërtetë pa një angazhim të qartë të Serbisë në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës. Sipas tij Bashkimi Evropian e ka bërë më të qartë qëndrimin e tij ndaj integritetit territorial të Kosovës në raportin e fundit të progresit.

“Bashkimi Evropian e ka bërë më të qartë se sa në të kaluarën se Kosova është një njesi territoriale. Ky është një zhvillim pozitiv në lidhje me këtë çështje. Në të kaluarën vendet anëtare të BE-së e kanë thënë këtë në mënyre individuale, siç ka bërë Gjermania Britania e Madhe, apo Suedia. Kurse tani Komisioni Evropian ia ka bërë të qartë Serbisë se Kosova është një njesi territoriale”.

Duke folur për historinë e dialogut në Kosovë, bashkëautori i librit, Lehtësimi i Dialogut: Puna e Institutit Amerikan të Paqes në Zonat e Konfliktit, Daniel Serwer tha se pas trazirave të vitit 2004 në Kosovë dialogu mes shqiptarëve të Kosovës dhe Serbisë është zhvilluar përmes rrugëve zyrtare dhe ishte një dialog mes të shurdhëve. Zoti Serwer tha se ka patur mungesë të dialogut në nivel komunitetesh i cili është ndikuar nga dialogu në nivel zyrtar.

“Në vitet që pasuan trazirat e marsit të 2004-ës, ka patur kryesisht një dialog mes të shurdhëve, mes shqiptarëve të Kosovës dhe sërbëve, më shumë përmës rrugëve zyrtare se sa në nivel komunitetesh. Pra nuk ka patur dialog mes komunteteve në Serbi dhe komunitetit shqiptarë në Kosovë”.

Analisti Daniel Serwer këto komente i bëri dje në Institutin Amerikan të Paqes.

XS
SM
MD
LG