Lidhje

SHBA: Jeff Sessions bën betimin si Prokuror i Përgjithshëm


Senatori Jeff Sessions bëri sot betimin si Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë ku ai theksoi se Shteteve të Bashkuara u duhet "një sistem i ligjshëm imigracioni" që t'u shërbejë interesave të popullit amerikan.

Presidenti Donald Trump e vlerësoi lart zotin Sessions, duke e cilësuar Prokurorin e ri të Përgjithshëm, "një njeri me vendosmëri të jashtëzakonshme".

"Ai ia ka kushtuar jetën, kauzës së drejtësisë dhe beson thellësisht se të gjithë njerëzit janë të barabartë për sytë e ligjit. Dhe me shumë rëndësi për Jeffin dhe shumë nga ne, në sytë e Zotit", tha zoti Trump.

Senati e miratoi kandidaturën e zotit Sessions të mërkurën, pas debateve të ndezura që zgjatën më shumë se një ditë dhe një konfrontim dramatik, që çoi në qortimin dhe ndalimin e fjalës në podiumin e diskutimeve të një demokrateje të njohur.

Votimi 52 pro dhe 47 kundër e bën zotin Sessions, i cili prej vitesh ka qenë senator i shtetit të Alabamës, zyrtarin më të lartë të zbatimit të ligjit dhe anëtarin e gjashtë të administratës së re të Presidentit Trump që merr konfirmimin e Senatit.

"Ky është një nder i veçantë për mua, - zoti Sessions u tha kolegëve të tij në fjalimin e lamtumirës si senator, pas votimit. "Shpresoj dhe lutem që ta justifikoj besimin tuaj tek unë. Do të bëj ç'është e mundur për ta realizuar këtë,"- tha ai.

“Ne të gjithë e njohim atë si një njeri me integritet të thellë, që e mban fjalën, një njeri të përkushtuar ndaj drejtësisë dhe ajo që është më e rëndësishme, ndaj sundimit të ligjit."- tha Kryetari i Komisionit Juridik të Senatit, republikani i shtetit Ajova, Chuck Grassley.

Një mbështetës i hershëm dhe i zjarrtë i zotit Trump gjatë fushatës së tij të trazuar elektorale, zoti Sessions u zotua se si Prokuror i Përgjithshëm, ai do ta verë ligjin mbi politikën.

“Presidenti duhet ndihmuar t'i realizojë gjërat që ai dëshiron me mjete ligjore dhe duhet të kesh guximin t'i thuash edhe "jo" presidentit", - tha zoti Sessions në seancat për konfirmimin e tij muajin e kaluar.

Para votimit të së mërkurës, demokratët thanë se nuk ishin të bindur për kandidaturën e zotit Sessions.

“Kemi një president, i cili dëshiron të rikthejë torturën", tha senatorja Dianne Feinstein, kryetarja demokrate e Komisionit Juridik. “Kemi të emëruar për postin e Prokurorit të Përgjithshëm një njeri që vetëm i pavarur nuk është. Ai ishte pjesë e pandarë e fushatës së zotit Trump… Kemi sulme pas sulmesh nga zoti Trump ndaj pakicave, imigrantëve, myslimanëve, grave, ndaj kritikëve të tij, gjykatësve, ndaj shtypit dhe madje edhe ndaj vetë së vërtetës. Tani, më tepër se kurrë, është e rëndësishme që Departamenti i Drejtësisë të jetë i pavarur nga Presidenti," - tha zonja Feinstein.

Republikanët theksuan se Trump vështirë të thuhet se është Presidenti i parë që emëron mbështetësit dhe njerëzit e besuar në administratën e tij.

“Ideja se Senatori Sessions ka qenë njeri i afërt me Presidentin Trump gjatë fushatës dhe për këtë arsye është kandidat i papërshtatshëm, nuk ka fare kuptim për mua,"- tha Senatori republikan Lindsey Graham i Karolinës së Jugut. "Pikërisht këta njerëz pritet që të zgjedhë Presidenti, njerëz që kanë qenë në ekipin e tij, të cilët ai i njeh."

Sessions ka qenë për 20 vjet senator. Ai ka qenë gjithashtu prokuror i përgjithshëm për shtetin e Alabamës, si dhe prokuror federal. Në vitin 1986, Presidenti Ronald Reagan e emëroi për t'u bërë gjykatës federal, por Senati votoi kundër tij, për shkak të akuzave se në kaluarën ka patur paragjykime racore.

Jehona e debatit të më tepër se 30 vjetëve më parë u dëgjua edhe të martën, kur senatorja demokrate e Masaçusetsit Elizabeth Warren lexoi një letër të bashkëshortes së udhëheqësit të vrarë të të drejtave civile Martin Luther King Jr., ku ajo kundërshtonte zotin Sessions për postin e gjykatësit federal.

Kryetari i shumicës në Senat, republikani i Kentakit Mitch McConnell, e ndërpreu zonjën Warren gjatë fjalimit së saj.

“Senatorja vë në dyshim motivet dhe sjelljen e kolegut tonë nga Alabama,” - tha McConnell.

Atëhere drejtuesi i seancës, Senatori republikan i Montanës Steve Daines i tha zonjës Warren ta ndërpriste fjalimin dhe të kthehej në vendin e saj.

Senatorja Warren kërkoi që i gjithë Senati të votonte për këtë çështje. Senati me shumicë republikane votoi që Warren të mos lejohej të fliste më tej kundër zotit Sessions, pasi kishte shkelur rregullin e etikës së Senatit.

“Ne kemi përcaktuar disa rregulla mjaft të qarta, sipas të cilave nuk mund të vihet në dyshim karakteri i një kolegu senator" - tha Republikani shtetit Ajdaho James Risch.

Demokratët të revoltuar

“Nuk duhet të arrijmë deri në këtë pikë", tha Senatori demokrat i Vermontit, Patrick Leahy. “Nuk është mirë për demokracinë. Dhe sigurisht që nuk është mirë as për lirinë e fjalës."

Republikanët nuk lëvizën nga qëndrimi i tyre, duke thënë se Amerika përfiton kur debati në Kongres nuk karakterizohet nga sulme personale.

“Shikoni lajmet në televizion, ku do të shihni parlamente në vende të ndryshme të botës, ku njerëzit e gjuajnë njëri tjetrin me karrige", - tha Senatori i Floridës Marco Rubio. “Bëjini pyetjen vetes: çfarë mendoni për këto vende?"

Donald Trump premtoi se ai do të jetë një president që mbështet ligjin dhe rregullin. Prokurori i ri i Përgjithshëm e bëri të qartë gjatë seancës për konfirmimin e tij, se mbetet një përkrahës i vijës së ashpër për çështje si imigracioni i paligjshëm.

“Nëse ndiqen vazhdimisht politikat e amnistisë për imigrantët pa dokumente, minohet respekti për ligjin dhe nxitet më tej imigracionin e paligjshëm në Amerikë," - tha ai.

Më tepër se 30 vjet pasi Senati votoi kundër tij për postin e gjykatësit federal, të mërkurën organi ligjvënës e miratoi kandidaturën e zotit Sessions për një post edhe më të rëndësishëm. Ai vjen në krye të Departamentit të Drejtësisë, një institucion që ka mbështetur një numër nismash, të cilat Presidenti Trump është zotuar se do t'i zhbëjë.

XS
SM
MD
LG