Lidhje

Ngacmimet seksuale tek burrat


Nuk janë vetëm gratë pjesë e fushatës me përmasa virale "#metoo", të përhapur në mediat sociale, kundër ngacmimeve seksuale.

Statistikat e Komisionit për Mundësi të Barabarta Punësimi tregojnë se rreth 16 për qind e të gjitha ankesave për sjellje të papërshtatshme seksuale në vendin e punës vijnë nga burrat. Interesant është fakti që burrat preferojnë të qëndrojnë në heshtje për këto raste dhe zakonisht ata i raportojë më pak këtë incidente.

Në fushatën kundër ngacmimeve seksuale u shfaq një kthesë e papritur. Ish-bodigardi i yllit të muzikës pop Mariah Carey e akuzoi atë për ngacmime seksuale dhe verbale. Michael Anello thotë se këngëtarja ishte përpjekur ta joshte dhe se ishte sjellë me të në mënyrë të papërshtatshme. Por Mariah Carey i mohon këto akuza.

Historitë e ngacmimeve seksuale u kthyen në tituj të lajmeve, kryesisht ngaqë ato u denoncuan nga njerëz të famshëm. Megjithëse gratë janë ato që ankohen më tepër për ngacmime seksuale, viktima janë edhe burrat. Por psikologët thonë se ata i raportojnë më rrallë rastet e ngacmimeve.

Josh Levs thotë se është viktimë e ngacmimeve sekuale, sepse shefja e tij përpiqej vazhdimisht ta joshte seksualisht.

"Më caktuan të punoja me këtë grua si praktikant. Ajo filloi thuajse menjëherë të thoshte dhe bënte gjëra të papërshtashme. Më tha se kishte vendosur që ne duhet të kishim marrëdhënie seksuale. Bënte komente grafike për trupin tim. Filloi të më vizatonte, duke thënë se kështu mendonte ajo se duhej të dukesha lakuriq. Më kërkoi që edhe unë ta vizatoja….”- tregon Josh.

Josh thotë se ju desh kohë ta kuptonte se ishte viktimë. Por ai hezitoi ta raportonte këtë:

"E kisha shefe të drejpërdrejtë. Ajo ishte personi të cilit unë duhej t’i ankohesha. Nuk kishte ndonjë strukturë ku të ankohesha, që këtë çështje të trajtonin siç duhet. Ajo po ashtu ishte me pozicion të lartë, kolegët e pëlqenin. Për mua nuk dinin asgjë, unë isha i ri.”

Si edhe shumë viktima të tjera të ngacmimeve, Josh kishte frikë se askush nuk do ta besonte nëse fliste hapur dhe më e keqja ishte se do të mendonin se fajtor ishte ai.

"Deri në 70 për qind e personave të ngacmuar, nuk ankohen fare tek askush. As në zyrën e personelit dhe as tek shefi. Arsyeja e mosraportimit është e njëjtë si tek burrat, edhe tek gratë: frika. Diçka tjetër: kemi patur raste kur burrat, qofshin heteroseksualë, apo hmmoseksualë, ngacmohen nga burra – një koleg, ose një shef. Unë mendoj se ka një tjetër arsye përse një burrë nuk raporton se e ka ngacmuar një tjetër burrë.”- thotë Chai Feldblum, i Komisionit për Mundësi të Barabarta Punësimi.

Qendra Kombëtare për Burimin e Dhunës Seksuale thotë se viktima të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale kanë më tepër gjasa të bëhen burrat homoseksualë.

Sipas një tjetër studimi, rreth 20 për qind e burrave në ushtri janë përballur me ngacmime seksuale. Ekspertët thonë se është shumë rëndësishme që këto raste të raportohen.

"Shumë punëdhënës, kur mësojnë për këto raste duan ta përmirësojnë menjëherë situatën. Shpesh, edhe para se ne ta përfundojmë hetimin, punëdhënësit interesohen të mësojnë në se problemi ekziston dhe si mund të zgjidhet,” thotë Chai Feldblum, i Komisionit për Mundësi të Barabarta Punësimi.

Edhe në raste të tilla, aspekti psikologjik i ngacmimeve seksuale mbetet. Por ndërsa Shtetet e Bashkuara i marrin më me seriozitet këto raste, ka shpresa që një numër më i madh viktimash meshkuj do të flasin hapur dhe do të kërkojnë trajtimin e këtyre rasteve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG