Lidhje

Sfidat demografike të Indisë, në kushtet e rritjes galopante të popullatës


Sfidat demografike të Indisë, në kushtet e rritjes galopante të popullatës
Sfidat demografike të Indisë, në kushtet e rritjes galopante të popullatës

30-vjeçari Ravinder Pande punon si shofer për një biznesmen në Nju Delhi dhe fiton 200 dollarë në muaj. Ai u vendos në kryeqytetin e Indisë nga shteti Utar Pradesh, ku sipas statistikave të Kombeve të Bashkuara do të lindte banori i 7 miliardtë i botës.

Pande thotë se nuk fitonte thuajse asgjë kur punonte në një fermë të vogël të familjes dhe nuk gjente dot punë tjetër në fshatin e tij.

Shteti Utar Pradesh, me afro 200 milionë banorë, është një ndër më të populluarit dhe më të varfrit në Indi. Po ashtu shteti vuan nga mungesa e investimeve të mjaftueshme industriale.

Por Pande dhe të tjerë përfitojnë nga fakti që ekonomia po ecën me ritme galopante dhe rritja prej 8 për qind ka krijuar vende të reja pune në nyje të rëndësishme ekonomike si Nju Delhi, Mumbai dhe Bangalore.

Chandrajit Banerjee kryeson Konfederatën për Industritë Indiane:

“Do të ketë nevojë për punëtorë të kualifikuar në çdo nivel duke filluar nga intelektualët e deri tek krahu i punës, si zdrukthatarët, mekanikët, shoferët e të tjerë, për të cilët do të ketë kërkesë në treg për vite me radhë”.

Këto punë kanë rëndësi kritike në një vend që pritet të ketë 1 miliard e gjysëm banorë deri në vitin 2025. India do të jetë një ndër vendet me popullatën më të re në botë, ku nga fundi i dekadës mosha mesatare do të jetë rreth 29 vjeç. Ky bym i shtresës rinore pritet të zgjasë deri në vitin 2050.

Ekonomistët thonë se ky fakt i ofron Indisë mundësinë për të përfituar nga i ashtu-quajturi “dividenti demografik” pra për të vënë në shfrytëzim aftësitë dhe talentin e rinisë në këtë ekonomi në rritje në një kohë kur shumë vende ndeshen me plakje të popullsisë.

Megjithatë, ka plot sfida që lidhen me shtimin e popullsisë. Ekonomistët thonë se ritmet aktuale të rritjes ekonomike, megjithëse të larta, nuk mund të krijojnë vende të mjaftueshme pune në një kohë kur për 2 dekadat e ardhshme, çdo vit krahut të punës do t’i shtohen 10 milionë vetë të tjerë.

Autori dhe komentatori i njohur indian Gurcharan Das thotë se sektori bujqësor, që punëson 2 të tretat e popullatës, është në rënie dhe fitimet janë minimale. Sektori i shërbimeve, i kryesuar nga teknologjia e informacionit, është burimi kryesor i bumit ekonomik në Indi, por nuk ka arritur të krijojë vende pune në nivelin e nevojshëm:

“Fakti shqetësues është se ekonomia jonë mbështetet tek shërbimet, jo prodhimi. Nuk kemi sektorin e prodhimeve të thjeshta industriale që ka nevojë të madhe për krah pune, siç po ndodh në Kinë dhe vende të tjera të Azisë jugore dhe lindore. Sfida jonë është krijimi i një revolucioni në sektorin e prodhimit industrial. Duhet të hapim më shumë vende pune dhe vetëm sektori i shërbimeve nuk mund ta realizojë një gjë të tillë”.

India ka edhe një numër sfidash të tjera. Sistemi i arsimit publik jo vetëm që nuk ka arritur të përballojë kërkesën në rritje, por vuan gjithashtu edhe nga cilësia e ulët. Kjo ka zgjuar shqetësimin se forca e re punëtore nuk do të arrijë të marrë kualifikimin e nevojshëm për të gjeneruar rritje ekonomike.

Shoferi Pande thotë se dëshiron që fëmijët e tij të fitojnë aftësi më të mira që të mos punojnë si shoferë. Por ai është detyruar t’i lërë në fshatin e lindjes pasi nuk përballon dot banesë për të gjithë familjen në qytet. Pande është pesimist për arsimimin e tyre në fshat.

Konfederata e Industrisë Indiane, në bashkëpunim me qeverinë po zgjerojnë programet për t’u ofruar të rinjve kurse teknike për zanate të ndryshme. Por zyrtarët pohojnë se nevojat janë tepër më të mëdha se kualifikimi i ofruar.

Një raport i nxjerrë në vitin 2008 nga firma Boston Consulting Group paralajmëronte se nëse nuk arrihet sukses në përpjekjet për ta shndërruar rininë indiane në forcë produktive, një armatë e tërë rinore në këtë vend do të mbetet në harresë.

Shqetësimi tjetër madhor është kujdesi shëndetësor. Në shtetin e Pandes, Utar Pradesh, vdekshmëria dhe mungesa e ushqimit tek foshnjat është mjaft e lartë. Por ky nuk është i vetmi shtet me këto probleme. Thuajse gjysma e fëmijëve indianë nën moshën 5 vjeçare vuajnë nga mungesa ushqimore. Ritmet e ndërprerjes së shkollimit janë të larta.

Sarah Crowe, zëdhënëse për Fondin e Fëmijëve të Kombeve të Bashkuara në Nju Delhi, paralajmëron se kjo ndërthurje problemesh mund të pengojë përparimin e Indisë:

“Fëmija që vuan këto probleme nuk arrin kapacitetin e tij të plotë, pra nuk do të mësojë si duhet kur shkon në shkollë dhe më pas do të ketë të ardhura më të pakta dhe do të kontribuojë më pak për ekonominë, duke mos arritur ta ndihmojë vendin dhe rajonin të ecë përpara. Nga 200 milionë fëmijët që fillojnë shkollën, vetëm 10 për qind përfundojnë shkollën e mesme, gjë që nënkupton potencial të parealizuar”.

Autoritetet pohojnë se ky është momenti për veprim. Ka të tjerë që paralajmërojnë se India duhet të shtojë investimet në kujdesin shëndetësor dhe arsim për të garantuar që dallimet mes shtresave të ndryshme të popullatës të mos marrin formën e një barre demografike për vendin.

XS
SM
MD
LG